TIRANE-Dy studente të Mjekësisë denoncojnë dy të rinj nga Laçi duke pretenduar se i kanë përdhunuar në një motel në Vorë të Tiranës.

Edhe pse kanë kaluar plot tri javë nga momenti ku ato pretendojnë se ka ndodhur ngjarja, vajzat janë kujtuar t’i drejtohen Policisë vetëm dje. Megjithatë, në bazë të kallëzimit të tyre, efektivët e Komisariatit nr.6 kanë arritur të identifikojnë dhe të arrestojnë dy djemtë e dyshuar për ngjarjen. Policia tha zyrtarisht dje se të arrestuarit janë shtetasit Elis Pasha 26 vjeç dhe Henri Talo, 25 vjeç, të dy banues në Laç. Ata janë kallëzuar në Polici nga dy studentet, K.L. 23 vjeçe nga Peqini dhe R.Sh. 21 vjeçe nga Korça. Vajzat pretendojnë se dy të rinjtë kanë kryer marrëdhënie seksuale me dhunë, jashtë dëshirës së tyre, mbrëmjen e 21 marsit, në një motel në rrugën që lidh Vorën me Aeroportin e Rinasit. Ndërsa nuk kanë dhënë shpjegime para oficerëve të Policisë se përse nuk janë paraqitur menjëherë për të bërë kallëzim, por kanë pritur që të kalojnë tri javë nga ngjarja.

Dy të arrestuarit në asnjë moment nuk kanë pranuar të kenë kryer marrëdhënie seksuale me dhunë me dy vajzat, përkundrazi ata kanë thënë se gjithçka ka ndodhur me dëshirën dhe miratimin e tyre. Ata janë shprehur se kanë pasur një lidhje me dy studentet e Mjekësisë dhe pasi kanë ngrënë një darkë të katërt, kanë shkuar në motel, pasi kanë rënë dakord që të kalonin natën bashkë. Ndërsa sipas tyre, denoncimi i vajzave është bërë për hakmarrje për shkak se ata nuk u kanë telefonuar më dhe kanë vendosur të ndahen. Pas arrestimit të dy të rinjve nga Laçi, me akuzën “marrëdhënie seksuale me dhunë me të rritur”, Policia e Tiranës ka nisur hetimet për dokumentimin e plotë të ngjarjes. Fillimisht është marrë në pyetje sportelisti i motelit në Vorë, ku pretendohet se ka ndodhur ngjarja. Burimet thonë se punonjësi i motelit ka deklaruar se mbrëmjen e 21 marsit kanë shkuar aty dy çifte, të cilët kanë marrë dy dhoma për të qëndruar aty disa orë. Por, sipas tij, në asnjë moment vajzat nuk i kanë lënë të kuptojë që ndodheshin aty jashtë dëshirës së tyre, përkundrazi, po silleshin normalisht me djemtë. Madje, sipas tij, as kur kanë dalë nga moteli, vajzat nuk kanë shfaqur asnjë pretendim e aq më pak të kenë kërkuar ndihmë për ndonjë akt të mundshëm dhune ndaj tyre.

(a.n/panorama/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: