Deputeti demokrat, Luan Baçi akuzon Bashkinë e Fierit se të parin aktivitet të vitit 2025, nuk ka menduar as ndonjë nismë për lehtësimin e të varfërve, as uljen e papunësisë, as përmirësimin e jetës së fierakëve, që ata të mos zgjedhin largimin, por një koncert festiv në Greqi.
Gjatë një deklarate për mediat nga selia blu, Baçi tha se Bashkia ka shpallur një tender, me datë 6 janar, fituesi i të cilit do të shpallet sot, për një aktivitet që do të zhvillohet me datë 11, pra pas tri ditësh.
“Nën titullin dhe preteksin “Festojmë me emigrantët fierakë në Greqi” fshihet operacioni i patronazhimit permanent të PS”, u shpreh ai.
Deklarata
Bashkia Fier, të parin aktivitet të vitit 2025, nuk ka menduar as ndonjë nismë për lehtësimin e të varfërve, as uljen e papunësisë, as përmirësimin e jetës së fierakëve, që ata të mos zgjedhin largimin, por një koncert festiv në Greqi.
Për këtë ka shpallur një tender, me datë 6 janar, pra para 2 ditësh, fituesi i të cilit do të shpallet me datë 8, dmth sot, për një aktivitet që do të zhvillohet me datë 11, pra pas tri ditësh.
“Çdo gjë e bërë me ngut, në shkelje të procedurave të një shteti serioz, me qëllimin e vetëm justifikimin e turit të patronazhimit të Partisë Socialiste në Greqi, si koncert festiv patriotik. Veç kësaj, kjo është një mënyrë për të fshehur milionat e tjerë, që do të trafikohen në mënyrë informale për shpenzimet e këtij eventi dhe të tjerëve, dhe milionave që do t’i mundësojnë bashkisë Fier dhe bashkive të tjera të Rilindjes dhe qeverisjes qendrore për të blerë, joshur, gënjyer dhe vjedhur votat e shqiptarëve në emigracion.
Nën titullin dhe preteksin “Festojmë me emigrantët fierakë në Greqi” fshihet operacioni i patronazhimit permanent të PS.
Kjo zbulon edhe si bëhen, si mbahen, si paguhen dhe si mblidhen njerëzit në turin e Ramës nëpër diasporë. Miliona të takspagasueve që dalin, nga arkat e qeverisë lokale apo qenndrore dhe shumëfishi i tyre në prapaskenë, të gjitha të vjedhura shqiptarëve.
Me pak fjalë, Rama dhe Subashi përdorin paratë që vjedhin këtu, dhe që janë një nga arsyet se pse shqiptarët ikin në Greqi, Itali apo Angli për të manipuluar të njëjtët shqiptarë që kanë përzënë.
Ftesen hileqare për koncertin e shoqëruar edhe me një ndeshje futbolli mes veteranëve të Fierit është refuzuar nga kryetari i shoqatës së lojtarëve veteran të Aplonisë, Pandeli Tole, një lojtar i brezit të Kujtim Majacit.
Për të vërtetuar faktin se koncerti është një akt patronazhimi i Subashit, nën urdhrat e Ramës, shërben edhe dita kur do të mbahet koncerti më datë 11 janar, pikërisht datën kur fillon edhe regjistrimi i Diasporës në faqen e KQZ për zgjedhjet e 11 majit.
Ne nuk presim që ujku të ndërrojë qimen dhe të harrojë zakonin, por ne u bëjmë thirrje fierakëve të braktisin cdo përpjekje patronazhimi.
Shqiptarët e Greqisë, fierakë apo ngado, e kanë të gatshëm sloganin e famshëm të krijuar nga vetë ata “nga Shqipëria na dëbon, tani votën na kërkon’.
Përgjigjen jepjuani më 11 maj”!
(BalkanWeb)