BalkanWeb zbardh arsyetimin e Prokurorit të SPAK, Elvin Gokaj në lidhje me denoncimin e Olsi Ramës, vëllai i kryeministrit Edi Rama, për Gazment Bardhin, pasi ky i fundit e akuzoi se ka qenë pjesë e grupit të Xibrakës.
Gazetarja Klodiana Lala raporton për BalkanWeb se Prokurori shprehet se Bardhi nuk ka depozituar kallëzim për Olsi Ramën.
Sipas Prokurorit, për sa kohë që nuk ka kallëzim, nuk mund të provohet vepra penale.
Nisur nga rrethanat e mungesës së kallëzimit të Gazment Bardhit ndaj vëllait të kryeministrit, prokurori i SPAK, Elvin Gokaj ka vendosur mosfillimin e procedimit penal për kallëzimin e depozituar nga Olsi Rama ndaj kreut të grupit parlamentar demokrat për “kallëzim të rremë”.
“Me shkresën nr.5383/1 datë 15.04.2024 (kthim përgjigje), zyra e regjistrit dhe statistikës në Prokurorinë e Posaccme kundër korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, pas verifikimeve të kryera, ka kthyer këtë përgjigje:
“Në regjistrin e njoftimit të veprave penale, informohet se nuk rezulton që të jetë regjistuar ndonjë kallëzim penal me kallëzues shtetasin Gazment Bardhi dhe të kallëzuar shtetasin Olsi Rama“, thuhet në arsyetimin e prokurorit të SPAK, Gokaj.
Prokurori i SPAK thekson më tej në argumentet e tij se:
“Për të përcaktuar anën subjektive, analizojmë veprimet e shtetasit Gazment Bardhi. Kështu, në plotësim të këtij elementi velrësohet se gjatë verifikimeve të akteve të kallëzimit penal nr. 68, nuk provohet që i kallëzuari Gazment Bardhi të ketë kryer faktin për të cilën është kallëzuar, pasi nuk ka depozituar kallëzim penal një prokurori apo në policinë gjyqësore për shtetasin Olsi Rama.
Në këto kushte, përderisa nuk provohet se i kallëzuari e ka kryer faktin që është kallëzuar, atëherë nuk provohet as faji, pasi nuk prpovohet si elementi intelektual ashtu dhe ai volutiv, që të ekzistojë faji si element thelbësor i përgjegjësisë penale.
Përsa më sipër, referuar akteve dhe verifikimeve të kryera, arrijmë në konkluzionin se nuk jemi përpara elementëve të veprës penale të “Kallëzimi i rremë”, parashikuar nga neni 305 i Kodit Penal””.
(Balkanweb)