TIRANE – Pas ankesave dhe protestave të shumta të maturantëve në lidhje me procedurat e aplikimeve në universitet, një denoncim i rrallë është bërë këtë të hënë nga një 18-vjeçare.


Maturantja nga Tirana ka bërë kallëzim në polici se i kanë ndërhyrë në sistemin e regjistrimit e aplikimit pranë Agjencisë Kombëtare të Provimeve, në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit. Ky fakt bëhet me dije nga burime zyrtare të policisë së kryeqytetit.


Mësohet se e reja me iniciale Xh.R., e cila ka mbaruar në gjimnazin “Besnik Sykja”, është paraqitur në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë mëngjesin e së hënës, rreth orës 10:00. E reja ka sqaruar para hetuesve të çështjes se, edhe pse ka një mesatare të lartë, ajo nuk ka fituar asnjë degë as në raundin e dytë të përzgjedhjes.


Sipas vajzës, shkak për këtë gjë ka qenë ndërhyrja në sistemin e aplikimit të AKP-së, duke i ulur mesataren. Burime pranë hetuesve të çështjes sqaruan se gjatë dëshmisë që 18-vjeçarja ka dhënë para oficerëve të policisë, ka pohuar se është me mesatare 9.6. Për këtë rast, policia ka referuar materialet në prokurori për të bërë të mundur identifikimin dhe kapjen e autorëve, të cilët akuzohen për veprën penale “Hyrja e paautorizuar kompjuterike”, neni 192/b.
(er.nu/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb