Nga: KLODIANA HAXHIAJ
DURRËS- Bashkëshortët Idajet dhe Nevruze Çoniku, banues në lagjen nr.15 të qytetit të Durrësit dje deklaruan për “Gazeta Shqiptare” se vajza e tyre 23-vjeçare është torturuar dhe përdhunuar derisa ka përfunduar në Spitalin Psikiatrik të Elbasanit.

Ata pohuan se Desara Çoniku ka qenë e punësuar për 6 muaj në një familje në qytetin bregdetar dhe se kujdesej për fëmijën e tyre 10-vjeçar, i cili ishte i paralizuar. Sipas bashkëshortëve Çoniku, më 20 gusht, punëdhënësit i kanë komunikuar vajzës së tyre largimin nga puna.

“Tri ditë më pas, vajzën e mori dikush në telefon. Ajo iku zbathur nga shtëpia pa më thënë se ku do të shkonte. Disa orë më pas e gjeta atë në shtëpinë e familjes që e kishte punësuar. Ajo doli e zhveshur lakuriq dhe kishte ikur nga mendtë e kokës”, tha Nevruze Çoniku. Në një intervistë për “GSH”, 45-vjeçarja pohoi se pasditen e 23 gushtit ka bërë denoncim në polici dhe një ditë pas denoncimit, më 24 gusht, vajza e saj ka përfunduar në Spitalin Psikiatrik në Elbasan. Ndërkaq, Nevruze Çoniku u shpreh se vajza u mbajt me pranga në polici, ndërsa mjekoligjorët deklaruan se ajo nuk kishte shenja dhune. “Gjithçka u bë shpejt e shpejt për të mbuluar të vërtetën e asaj që i kishte ndodhur sime bije. Ajo kishte shenja dhune në trup. Ne kërkojmë që shteti të zbardhë ngjarjen dhe të arrestojë personat që abuzuan me të dhe e çuan deri në atë gradë sa ajo të lajthiste”, tha me lot në sy nëna e 23-vjeçares.
Zonja Nevruze, mund të na thoni se çfarë ka ndo-dhur me vajzën tuaj?
Ime bijë Desara ka punuar në një familje në Durrës. Ajo përkujdesej për djalin 10-vjeçar të një familjeje, i cili është i paralizuar. Në këtë familje, vajza u punësua 6 muaj më parë. Bashkëshortët ishin të ndarë, gruaja me djalin e madh jetojnë në Itali. Kurse kryefamiljari jeton me djalin e sëmurë këtu në qytet. Më 20 gusht, Desarën e pushuan nga puna, sapo erdhi nëna e djalit 10-vjeçar nga Italia. I thanë që do merrnin një grua më të moshuar, ndaj vajza mblodhi rrobat e veta dhe u kthye në shtëpi. Më 23 gusht, në mëngjes rreth orës 07:00, time bijë e morën në telefon. Dëgjova se personi që e mori i tha shpirt, ndërsa vajza iku si rrufe këmbëzbathur me një fustan të bardhë që ia kisha blerë unë. U shqetësova shumë, pasi nuk më tha se ku do të shkonte.
Po më pas?
Pas disa orësh, aty nga dreka shkova tek shtëpia e familjes ku ajo kishte punuar, pasi nuk dija ku ta kërkoja. I rashë derës dhe më doli djali i tyre 18 vjeç, i cili kishte ardhur nga Italia me nënën e tij. Ai ishte me një shok të tijin në shtëpi. E pyeta për Desarën, ndërsa ai më tha: Është në shtëpi, në gjumë. Më ish tharë fyti, ndaj i kërkova një gotë ujë. Djali më solli ujin dhe më solli edhe kafe. Prita 1 orë në banesë, ndërsa erdhi e zonja e shtëpisë me djalin e sëmurë 10-vjeçar, të cilin e kishte nxjerrë shëtitje. Ajo më tha se vajza ime nuk kishte përse rrinte më në shtëpinë e tyre, pasi do të merrnin një grua të moshuar. Ndërsa, unë ia ktheva se kisha shkuar aty për të marrë vajzën. Kaloi edhe 1 orë tjetër, kur pashë vajzën time që doli lakuriq nga dushi. U shokova kur e pashë.
Vajza ishte koshiente që doli ashtu e zhveshur?
Nuk ishte fare në rregull. I thashë që të vishte fustanin, por pjesëtarët e familjes ku ajo kishte punuar më thanë se e kishte grisur. E zonja më tha që duhej të merrja urgjent vajzën, ndaj sajova diçka për ta veshur dhe e mora me vete. Desara kishte tri ditë e tri net që nuk kishte ngrënë gjë, që kur e kishin hequr nga puna. E mora vajzën dhe e çova në shtëpi me një taksi.
E lajmëruat policinë për ngjarjen?
Pasdite vajza u bë shumë agresive. Unë kam një djalë 22 vjeç që është i paralizuar. Ajo iu afrua të vëllait dhe kërkonte që ta ngrinte në këmbë, ndërsa i thoshte “çohu dhe merr hakun tim”. Desh e vrau të vëllanë. Vajza u bë tjetër njeri, nuk njihte askënd. As mua e as babanë e saj. Desara nuk ishte më në vete, ndaj ne lajmëruam policinë. Pasditen e 23 gushtit bëmë denoncim në polici.
Si reagoi policia?
Vajzën e mbajtën me pranga në duar. Më pas e çuan në spital, tek ekspertiza mjekoligjore. Spitali nuk e mbajti time bijë. Një punonjës policie u mor me mjekët dhe me kryerjen e procedurave dhe të nesërmen në drekë e dërguan Desarën në Spitalin Psikiatrik të Elbasanit. Mua më thanë që vajza nuk ka asnjë shenjë dhune dhe asnjë dëmtim.
Kush e mori vendimin për ta çuar vajzën tuaj në Spitalin Psikiatrik të Elbasanit?
Policia dhe mjekët e morën vendimin.
Ju e keni ekspertizën e vajzës?
Jo, mua më kishte ikur mendja, nuk dija se çfarë po ndodhte.
Policia e mori dëshminë e Desarës?
Jo, nuk ia morën. Thanë që kur të shërohet e t’i vijë mendja, do e pyesin. Thanë që nuk është në gjendje ta marrin në pyetje. Gjithçka e bënë shpejt e shpejt për të mbuluar të vërtetën e asaj që i ka ndodhur sime bije.
Cila është e vërteta sipas jush?
Unë dyshoj që vajzën, e cila luajti mendsh ma kanë torturuar, dhunuar e përdhunuar. Kjo, nisur nga shenjat që ajo i kishte në trup. Tre muajt e fundit, ajo nuk e kishte marrë rrogën.
Ka pasur më përpara shqetësime shëndetësore vajza juaj?
Asnjëherë nuk ka qenë e sëmurë. Madje vajza ishte ajo që punonte e mbante shtëpinë tonë. Unë ku-jdesem për djalin tim që e kam të paralizuar, bashkëshorti është pa punë, mbledh bidonë plastikë në kazanët e plehrave.
E keni vizituar Desarën në Spitalin Psikiatrik të Elbasanit?
Shkoj çdo ditë atje për ta takuar, por nuk është në vete. Kur përmendet, thotë që i kanë dhënë një gotë me ujë të bardhë për të pirë, thotë që e kanë përdhunuar, pastaj sërish bëhet keq.
Zonja Nevruze, mesa jeni ju në dijeni, ka nisur hetim policia e Durrësit për rastin e vajzës suaj?
Unë di që policia ka shoqëruar pronarin e shtëpisë ku punonte vajza. Atë e kanë mbajtur 24 orë në polici dhe më pas është lënë i lirë. Pasi ma çuan vajzën në Psikiatri, policia nuk më ka thirrur për të dhënë sqarime.
Çfarë kërkoni ju si nënë?
Kërkoj që organet kompetente të zbardhin sa më shpejt të vërtetën se çfarë i ndodhi vajzës sime, çfarë i bënë që ajo u çmend brenda një dite. Të gjendet personi që e ka dhunuar atë. Kërkoj që të më shërojnë vajzën e të ma sjellin në shtëpi, pasi është drita e syve të mi.
(ma.ar/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb