Gjatë zgjedhjeve të 14 majit, partitë opozitare kanë denoncuar disa raste ku shteti është vendosur në funksion të votës, duke siguruar blerjen e tyre të drejtpërdrejtë apo indirekte.
Opozita pretendoi se xhaxhai i kryetarit të bashkisë Rrogozhinë Agim Memolla ka kërcënuar me armë mbështetës të opozitës.
Sipas njoftimit:
Mësohet se Agim Memolla, xhaxhai i kryetarit të Bashkisë së Rrogozhinës, njëkohësisht kandidatit socialist, Edison Memolla, ka kërcënuar me armë gjatë natës mbështetësit e opozitës. Agim Memolla, i pa shqetësuar nga policia e shtetit, mësohet se ka bërë të njëjtin veprim edhe në shumë raste të tjera gjatë kësaj fushate, një prej të cilave në fshatin Lekaj, pjesë e Bashkisë Rrogozhinë, që mund të ketë fatalitet. Bashkëpunimi i heshtur dhe mosveprimi i policisë së shtetit në rastet kur persona të identifikuar si mbështetës të Partisë Socialiste kërcënojnë publikisht me armë mbështetësit e kandidatëve të opozitës apo edhe qytetarët që refuzojnë t’i përgjigjen pozitivisht presioneve të tyre për votën, përbën shqetësim në rritje që ndikoi drejtpërdrejti negativisht në atmosferën e presionit dhe cenueshmerisë e lirisë së votës. Votuesit nuk ishin të lirë të votonin të lirë e në fshehtësi për kandidatët që preferonin.
Ndërsa Policia e Shtetit ka shoqëruar Agim dhe Arif Memolla, të dy, xhaxhallarët e kreut aktual të bashkisë pasi penguan një grup e xhirimi të një televizioni të kryenin detyrën e tyre gjatë një raportimi të drejtpërdrejtë në kuadër të zgjedhjeve lokale, si dhe janë të dyshuar për intimidim të votuesve në këto zgjedhje.
Por kush ishte Agim Memolla?
Emisioni “Vetting” në investigimet e tij mësoi se xhaxhai i kryebashkiakut të Rrogozhinës ishte dënuar me 12 vite për trafikimin e të fejuarës së tij për prostitucion në vitet 1999-2003. Ai është i dënuar nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Kavajë me Vendimin Nr. 137, i datës 24 dhjetor 2004. Memolla është dënuar me 12 vjet burg për kryerjen e veprës penale të “shfrytëzimit të prostitucionit“. Memolla është ekstraduar më 19 tetor 2007.