TIRANE- Pak pas bërjes publike nga Policia e Shtetit të lajmit mbi arrestimin e dy inspektorëve të Tatimeve të Tiranës, të cilët akuzohen për korrupsion, vjen një denoncim nga Berisha.

Ky i fundit përmes një statusi në ‘Facebook’ ka publikuar mesazhin e një qytetari dixhital, ndërsa ai denoncon se si zëvendësministri i Jashtëm dhe disa zyrtarë kanë tentuar që të lirojnë Artan Krojin, njëherësh ky edhe kryetar i PS në njësinë bashkiake nr.3 në Tiranë.

“Zevendes ministri i jashtem dhe titullare te tjere ne mbrojtje te hajdutit kriminel!
Lexoni mesazhin e qytetarit dixhital. sb
Mirembrema doktor rreth ores 6 sot arrestohet nga antikrimi ekonomik kryetari i ps per minibashkin nr 3 njekosish titullar ne hetimin tatimor mesa mesova zevens ministri jashtem dhe disa titullar jane turrur tek drejtoria e policis per ta liruar”, shkruhet në denoncimin e Berishës.

Mbrëmjen e djeshme deputeti i Partisë Demokratike Myslim Murrizi pohoi se policia mbante të fshehtë arrestimin e zyrtarit të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, Artan Kroj. Demokrati tha se nga Ministria e Brendshme konfirmohet se Fatmir Xhafaj ka urdhëruar fshehjen e ngjarjes dhe manipulimin e provave. Inspektorët Gentian Elezi, 29 vjeç dhe Artan Kroj, 37 vjeç, si dhe shtetasi me inicialet P.H., 43 vjeç, i shpallur ne kerkim, akuzohen se në bashkëpunim me njëri-tjetrin duke shpërdoruar detyrën kërkonin dhe iu merrnin ryshfet bizneseve gjatë inspektimit të tyre, shuma në vlera monetare që shkonin deri në 200 000 lekë për çdo rast.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb