TIRANE- Kryeministri Edi Rama ka sulmuar ashpër policin Emiljano Nuhu, i cili denoncoi publikisht se kishte marrë kërcënime me jetë nga djali i deputeti të PS-së Rrahman Rraja.

Gjatë një takimi me krerët e Policisë së Shtetit, Rama e quajti Nuhun një ‘shpifës me uniformë’. po ashtu kreu i qeverisë ndau edhe njëherë qëndrimin e tij lidhur me arrestimin e djalit të depuetetit, Rexhep Rraja, i cili akuzohet se ka dhunuar ish-të dashurën Xhisiela Maloku.

“Kjo klimë që sundon çoroditjen e njerëzve nuk mundet të cënojë asnjë milimetër shënjestrën e Policisë së Shtetit. Do jem shumë i hapur dhe i drejtpërdrejtë me ju. Është arritje e madhe e qeverisë sonë në këto 5 vite që ju, Policia e Shtetit, fitoi pavarësinë nga partia në pushtet. Kur isha kryetar i Bashkisë, Bilbil Mema ishte drejtor i policisë së Tiranës. Sa herë takoheshim më thoshte; nuk mundet të shohim telefonat nga lartë që i devijojnë rrugën Policisë së Shtetit. Sot Policia e Shtetit është e pavarura. Deputetë, kryeministër, politikanë, nuk i fusin dot hundët në polici dhe nuk guxojnë që të ngenë telefonin për t’i kërkuar favore ndonjërit prej jush drejtues policie. Në ndonjë rast kur kanë tentuar që ta bëjnë, kanë marrë ankesa. Nuk ju shkon mëndja që të shkelin rregullat e qarkullimit. Por heton si gjithë të tjerët djalin e një deputeti në mbështetje të një vajze duke e akuzuar atë për dhunë, dhe duke e çuar atë në prokuroi. Edhe për një shkelje në këtë hap e sipër, punonjësi i policisë nuk u gradua dhe u pezullua. Djali i deputeti është aty ku e ka çuar drejtësia dhe jo aty ku do ta kishte lenë dje partia. Dua një reflektim të plotë, një reagim i drejtë dhe një fakt që pavarësisht se Policia e Shtetit u godit nga brenda radhëve të saj prej një shpifësi të provuar katërçipërisht, u desh që shpifja të merrte dhenë. Kjo është e pajustifikueshme. Ku ishte drejtori i SHÇBA kur shpifësi me uniforme i solli me shkrim shpifjen e tij? Pse nuk reagoi kur u bë letra. Pse u la një shpifësi brenda radhëve të policisë, siç u krijua ngjarja dhe hodhi shpifjen në kazanët e duhura dhe në pas kërkoi azil”, -tha Rama.

Mes të tjerash Rama paralajmëroi qartë punonjësit e Policisë së Shtetit që të zbatojnë me përpikëri detyrën. Rama ndër të tjera nënvizoi faktin se tashmë politika nuk ka ndikim në Policinë e Shtetit.

“Nuk jemi në pozicionin më të keq të mundshëm. Shikoni pak si ka ndryshuar raporti i Policisë së Shtetit me ryshfetin, pasi ishim keq në 2013-ën. Këtu kemi një problem, një problem që e dimë mirë që ka të bëjë me vullnetin dhe gatishmërinë e njerëzve për të dalë para gjykatës për të dëshmuar kundër kriminelëve. Këtu kemi një problem, këtu jemi pak më mirë se në 2013-ën, bashkë me Ukrainën. Ne në mes të Europës, Ukraina në mes të zullumit. Fillon nga reforma në drejtësi dhe shtrihet tek masat e reja që do të ndërmarrin ndaj këtyre. Këto të gjitha janë lehtësisht të verifikueshme. Opozita i sfidon statistikat. Politika me krimin është aleat i krimit. Siç është thënë dhe pranuar botërisht. Ne mund të zgjedhim vetëm politikën tonë qeverisëse dhe mënyrën se si reagojmë ne ndaj akuzave. Duhet të gjejmë rrugën për reflektim dhe betejat që kemi marrë përsipër. Statistikat janë termometri që mat temperaturën e krimit. Perceptimi është barometër që kalon vlerësimi për situatën e kriminalitetit. Kam ardhur këtu sot që t’ju bëj apel të qartë; të vazhdoni me vendosmëri edhe më të madhe dhe me gatishmëri më të lartë se dje për reflektim dhe vetëkorrigjim, përpjekjen për të realizuar një objektiv super ambicioz. Policia duhet të jetë tek shigjeta e mesatares së performancës së BE. Në të gjitha aspektet. Kemi tre vjet akoma për ta çuar shigjetën në ato pasqyra që duhet të shërbejë si shtyllë konstante. Dhe ajo çka duhet të bëjmë nuk është aspak e lehtë. S’duhet lejuar asnjë justifikim”, -pohoi kryeministri.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb