Policia Rrugore e Korçës ka reaguar në lidhje me denoncimin e Albert Shkëmbit 58 vjeç që akuzon këta të fundit për ushtrim të dhunës gjatë një kontrolli rutinë në automjetin që z.Shkëmbi ishte pasagjer. Policia sqaron se shtetasi A.Sh. 58 vjeç, pasagjer në mjet, ka kundërshtuar me dhunë si dhe nuk i është bindur urdhërit të policisë gjatë kryerjes të detyrës.


Nga ana tjetër Policia nuk përmend në sqarim përdorimin e dhunës ndaj 58 vjeçarit por konfirmon se SHÇBA, bazuar tek kallëzimi dhe pretendimi i shtetasit A.Sh. ka filluar verifikimet mbi veprimet e punonjësve të Policisë Rrugore në lidhje me këtë rast.


Ndërkohë 58 vjeçari Shkëmbi deklaroi për BalkanWeb se e kanë dhunuar dy policë. Ai tregon se e kanë rrahur me radio dhe grushte. Albert Shkëmbi u shpreh se ia kanë thyer edhe krahun.


Njoftimi i plotë i policisë
Lidhur me denoncimin e një qytetari të publikuar në media, që pretendon se është dhunuar nga Policia Rrugore e Korçës informojmë se:

Më datë 25.06.2019, në aksin rrugor Korçë-Maliq, në afërsi të fshatit Vloçisht, shërbimet e Policisë Rrugore kanë konstatuar dhe ndaluar mjetin tip “Nissan” me drejtues shtetasin P.M, 51 vjeç, banues në Drenovë.

Në momentin kur shërbimet e Policisë, po kryenin testin e alkoolit ndaj shoferit, pas dyshimeve të krijuara se ky shtetas mund të ishte duke drejtuar mjetin në gjendje të dehur (rezultoi në masën 1.52mg/l​), shtetasi A.Sh. 58 vjeç, pasagjer në mjet, ka kundërshtuar me dhunë si dhe nuk i është bindur urdhërit të policisë gjatë kryerjes të detyrës.

Në vijim të veprimeve të mëtejshme proceduriale drejtuesi i mjetit P.M, u arrestua në flagrancë për veprën penale “Drejtim mjeti në mënyrë të parregullt” ndërsa shtetasi A.Sh. u arrestua për veprat penale “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik” dhe “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”.

SHÇBA, bazuar tek kallëzimi dhe pretendimi i shtetasit A.Sh, ka filluar verifikimet mbi veprimet e punonjësve të Policisë Rrugore në lidhje me këtë rast.

Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë.

(n.b/BalkanWeb)