Shumë gra e kanë të vështirë ta përballojnë periudhën e lindjes dhe pasi sjellin në jetë beben e tyre, përjetojnë depresion. I njohur si depresioni i paslindjes ose postnatal, mund të prekë shumë gra, pavarësisht moshës, statusit të tyre etj. Më poshtë po sjellim disa këshilla se si gratë mund të ndihen më mirë e të luftojnë kështu depresionin që vjen pas lindjes, citon suplementi ‘Une Gruaja’.

Si mund ta kalojmë depresionin e paslindjes?
Të folurit rreth asaj që ndieni dhe asaj se çfarë mund të keni në mendje, ndihmon që të menaxhoni disa nga simptomat e depresionit pas lindjes. Është e rëndësishme që të flisni me dikë që jo vetëm ju ofron këshilla, por që së pari ju dëgjon dhe ju e ndieni që është aty për ju. Ky person mund të jetë mamia apo mjekja e konsultores së fëmijës tuaj, një mik ose një pjesëtar familjeje, një psikolog apo këshillues profesional etj.

Si ndikon lodhja fizike në këtë lloj depresioni?
Ju duhet të gjeni kohë të qëndroni me veten, të dilni jashtë e të çlodheni. Duhet të gjeni kohën për të bërë diçka që ju gëzon. Gratë bëjnë në fakt një punë të vështirë duke u kujdesur për foshnjat e tyre, ndaj duhet të pushojnë rregullisht. Mbase bashkëshorti a partneri juaj apo një pjesëtar i familjes mund të kujdeset gjatë këtyre momenteve për fëmijën tuaj.

Bën mirë shkëmbimi i eksperiencës me gra të tjera në të njëjtën gjendje?
Të shpenzuarit e kohës me gra të tjera është në fakt një ide e mirë. Kontakti social është pa dyshim shumë ndihmës. Nuk është e thënë që këta miq të jenë patjetër nëna të reja në të njëjtën gjendje si ju. Por, bisedat me miqtë tuaj, telefonatat, takimet apo shëtitjet bashkë me të janë një mënyrë shumë e mirë për të hequr një pjesë të ngarkesës.

Si ndikon regjimi ushqimor dhe dieta? A e luftojnë ato depresionin pas lindjes?
Shëndeti fizik është pa dyshim i rëndësishëm dhe ndikon drejtpërdrejt në gjendjen shpirtërore dhe mendore. Ushtrimet e rregullta rrisin nivelin e serotinës në tru, e cila bën të ndiheni mirë. Të ecnit përditë rregullisht në ajër të pastër do t’i bënte mirë gjendjes suaj. Është e rëndësishme edhe që të ushqeheni shëndetshëm, pavarësisht ngarkesës që mund të keni. Këshillohen të hahen ushqime të tilla, si: sallata, perime e fruta të freskëta, kos, bukë thekre apo supë, të cilat çlirojnë energji më ngadalë dhe mund të jenë të qëndrueshme.

(d.b/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb