TIRANË

Ish-ministri i Transportit Edmond Haxhinasto ka komentuar në rubrikën “Opinion” në News24 lëvizjet e fundit nga lista e kandidatëve të LSI-së për zgjedhjet parlamentare pas djegies së mandateve të deputetëve të kësaj force.

Haxhinasto tha se është një veprim individual por se kauza e LSI-së dhe e opozitës është shumë më e madhe.

“Mendoj se nuk është një fenomen për t’u përshëndetur. Ashtu si e kam thënë më parë, përfaqësuesit parlamentarë janë të dalë nga listat e partisë. Ata kanë kandiduar me siglën e partisë. Nëse i kanë ndjekur të gjitha hallkat staturore për të ndërmarrë një akt të tillë… Mendoj që kauza për të cilën lufton LSI dhe opozita është shumë më e madhe se sa veprimet individuale.
Mandati është individual por është produkt i vendimeve të gjithë strukturave të partisë. Me sistemin që kemi, janë përfaqësues të partisë dhe kanë përgjegjësinë për ta përfaqësuar edhe në lista edhe në konkurrim. Megjithatë objektivi politik i LSI-së është shumë i qartë. Mirë nuk na vjen patjetër”, deklaroi Haxhinasto.

Lidhur me deklaratat e delegacionit të Parlamentit Europian, Haxhinasto tha se ata kanë të drejtë pasi i referohen një standardi politik por se nuk e njohin situatën në vend.

“Ndërkombëtarët janë partnerë të Shqipërisë patjetër dhe e ndjekin politikën shqiptare ndoshta në një fraksion të aktivitetit të tyre politik. Sigurisht duke i njohur mirë qoftë individualisht qoftë si institucione mund të them që përgjithësisht përfaqësues të Brukselit i referohen një standardi politik. Ata janë në rregull kur thonë se opozita duhet të jetë në parlament por patjetër mungesa e njohjes së situatës këtu apo qëndrimet relative për shkak të njohjes së situatës ata i referohen standardit. Kur analizohet situata e panxjerrë nga konteksti kemi një situatë krejt tjetër.
Nuk është se opozita i vlerëson parimet themelore të demokracisë ndryshe nga sa i referohen ndërkombëtarëve por opozita në Shqipëri jeton një situatë tjetër politike. Nuk është situatë demokratike dhe ndaj duhen marrë veprime jo normale”, tha ish-ministri.

Ai tha se pranimi pa kushte i çdo veprimi të maxhorancës nuk do ishte shërbim ndaj vendit apo demokracisë nga ana e opozitës.
“Nuk mendoj se zgjidhja është një përulje, apo një pranim pa kushte i çdo veprimi të maxhorancës. Nuk besoj se opozita do i bënte ndonjë të mirë vendit apo demokracisë nëse do pranonte pa kushte mungesën e reflektimit të maxhorancës. Për reformën zgjedhore për shembull, për heqjen nga politika të elementëve të painkriminuar. Integrimi në Europë është një standard që arrihet pasi këtu ke ngritur atë që kërkohet nga BE, pra tërësinë e vlerave dhe standardeve”, theksoi Haxhinasto.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb