Drejtuesi politik i Partisë Demokratike për Tiranën, Belind Këlliçi, ka folur në rubrikën “Opinion” në News24 për protestën e opozitës të planifikuar për sot.
Ai ka bërë të qartë se protesta do të ketë në krye deputetët dhe anëtarët e kryesisë së PD, duke theksuar se Partia Demokratike nuk ka përdorur asnjëherë mbështetësit e saj si “mish për top” dhe se ky është një veprim që nuk do të ndodhë asnjëherë.
Këlliçi ka bërë të ditur se opozita ka marrë informacione për mundësinë e përshkallëzimit të dhunës nga policia, por ai ka theksuar se problemi i opozitës është me keqqeverisjen dhe jo me policinë.
Sipas tij, opozita nuk ka kërkuar kurrë konfrontim me autoritetet, por ka kërkuar llogaridhënie për keqqeverisjen.
Në lidhje me deklaratën e Edi Ramës në Londër, ku ai ka thënë se kërkon votën për të “ndrequr opozitën e vendit”, Këlliçi ka kritikuar këtë pohim, duke e cilësuar si një slogan të përdorur nga figura autoritare si Hitleri, Putini, dhe Erdogani. Ai ka theksuar se Shqipëria nuk ka shans të kthehet në diktaturë dhe se opozita do të dalë në protestë për të ngritur zërin kundër keqqeverisjes.
“Asnjëherë PD nuk ka përdorur mbështetësit e saj si mish për top, kjo nuk do ndodhë asnjëherë. Kemi marrë informacione që pritet të ketë përshkallëzim të dhunës nga policia. Në ballë të aksionit sot do të jenë deputetët dhe anëtarët e kryesisë së PD. Nuk kemi kërkuar kurrë konrfontim me policinë, problemin e kemi me keqqeverisjen.
Rama tha për herë të parë në Londër se kërkon votën edhe për të ndrequr opozitën e vendit. Ky ëhtë slogan që është përdorur nga Hitleri, nga Putini dhe përdoret nga Erdogani. Shqipëria nuk ka shans të kthehet në diktaturë sërish. Ne dalim në protestë për të ngritur zërin për keqqeverisjen”, u shpreh ai.