TIRANE– Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla, në përfundim të seancës plenare, ka folur për miratimin e ligjit për ndërtimin e aeroportit të Vlorës, vendim i marrë mes një situate të tensionuar në Kuvend. Por teksa deputeti socialist po fliste para kamerave, kanë ndërhyrë pareshtur dy deputetet e LSI, Floida Kërpaçi, dhe Kejdi Mehmetaj. Duke folur njëkohësisht, ato e kanë bërë të pamundur të dëgjohej fjala e Taulant Ballës.

Nisur nga kjo situatë, deputeti i PS nuk ka ngurruar të thumbojë kryetaren e LSI, Monika Kryemadhi për zgjedhjen e të rinjve të përfshirë në parti.

“Ju ka zgjedhur mirë Monika, jeni model për rininë. Më vjen keq që keni zgjedhur të bëni kukuvajkat. Populli gjykon e vlerëson, gjykoi e vlerësoi në 25 qershor. Populli i Vlorës ta gëzoni aeroportin”, u shpreh deputeti Balla.

“Ne të rinjve na kanë zgjedhur qytetarët, ty dhe rilindjen ju kanë zgjedhur kriminelët. Vota kundër teksteve falas tregon sa shumë interesoheni për të rinjtë dhe qytetarët. Keni frikë nga fjala e lirë e opozitës se jeni të kapur kokë e këmbë nga krimi dhe korrupsioni”, tha deputetja e LSI, Kejdi Mehmetaj, duke iu drejtuar deputetit Balla.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb