Deputetët e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Edmond Haxhinasto dhe Përparim Spahiu, pritën ditën e sotme në zyrën e Grupit Parlamentar të LSI-së në Kryesinë e Kuvendit përfaqësuesit e Federatës Sindikale të Naftës në Shqipëri, Gëzim Shehaj dhe Gëzim Topalli.

Deputetët e LSI-së dëgjuan me kujdes shqetësimet e sindikalistëve, të cilët sillnin në fokus problematikat e këtij sektori kyç për ekonominë e vendit dhe qytetarët që punojnë aty.

Përfaqësuesit e Federatës Sindikale të Naftës në Shqipëri u shprehën se Lëvizja Socialiste për Integrim ishte i vetmi subjekt politik, i cili pranoi të dëgjojë kërkesat e tyre për të përmirësuar sistemin dhe sigurinë e punonjësve të këtij sektori.

Në peticionin e tyre drejtuar organeve më të larta shtetërore ata kërkojnë zbatimin e Statusit të Naftëtarëve si dhe zbatimin e Kodit të Punës në mënyrë të veçantë lidhjen e kontratës kolektive të punës.

Përfaqësuesit e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim u angazhuan për të ndjekur me vëmendje zbatimin e ligjit për punonjësit e këtij sektori shumë të rëndësishëm të ekonomisë si dhe të gjithë të drejtat që punonjësit gëzojnë në bazë të ligjit.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb