Grupi i Deputetëve të Pavarur i Kuvendit të Kosovës, kanë njoftuar sot se kanë formuar partinë e tyre të re. Formimin e partisë së re e bënë të ditur Visar Ymeri dhe Dukagjin Gorani të cilët në një konferencë për media dhanë disa detaje për planin dhe organizimin e tyre.

“Në këtë deklaratë i kemi përmendur parimet tona kryesore në atë se si e shohim realitetin politik dhe shoqëror. Angazhohemi për një sistem politik që nuk favorizon dhe as nuk diskriminon askënd. Ne besojmë që popullit të Kosovës i takon e drejta për vetëvendosje. Për ne liria dhe barazia janë të pandashme si dhe inkurajimi i shumëllojshmërisë, mirëpo liria është jo e plotë nëse nuk realizohet edhe në vlerë individuale. Në këto drejtime do të bashkëpunojmë me qytetarin dhe me grupet e tjera shoqërore”, tha Ymeri.

I pyetur rreth emrit të partisë së tyre të re, Ymeri ka thënë se ende nuk është vendosur për një emër porse sipas tij ka propozime të ndryshme, shkruan tg. “Ka disa propozime sapo të kemi diçka do ta publikojmë”, u shpreh ai. Nga ana tjetër, deputeti Dukagjin Gorani deklaroi se partia e tyre e re do të angazhohet për një republikë qytetare në të cilën sovraniteti i shteti buron nga qytetarët. Ky formim i partisë nga GDP-ja, vjen pasi pjesëtar të këtij grupi disa muaj më parë dhanë dorëheqje nga partia Lëvizja Vetëvendosje.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: