POGRADEC

Nga Pogradeci ku iu përgjigj interesit të gazetarëve për krizën politike në vend, Meta komentoi edhe procesin e zëvendësimit të deputetëve të opozitës që lanë mandatet në Parlament.Duke ndarë bindjen e tij institucionale, Meta tha se Kuvendi i Shqipërisë ka 82 deputetë të ligjshëm, përfshirë edhe 3 deputetët e opozitës, dhe se çdo numër tjetër është i kontestueshëm në të gjitha planet

“Në vlerësimin dhe në bindjen time institucionale Kuvendi i Shqipërisë ka 82 deputetë të ligjshëm, përfshirë edhe 3 deputetët e opozitës, të cilët nuk pranuan të djegin mandatet sipas vendimit politik të partive përkatëse.

Çdo numër tjetër përtej këtij, jo vetëm që thellon këtë krizë, por sigurisht që nuk ndihmon as kapërcimin e kësaj situate, pasi çdo numër tjetër është i kontestueshëm në të gjitha planet. Si  në planin kushtetues, në planin ligjor, në atë procedurial dhe politik, në planin moral, dhe absolutisht që në vendin tonë si një vend tërësisht pro-europian, mund të ftohen, mund të thërriten edhe një milion qytetarë, të cilët kanë mbushur moshën për të qenë deputetë e që nuk kanë frikë të plotësojnë formularin e dekriminalizimit për të votuar në parlament ligje të reformave të integrimit europian, por kjo duhet t’i sigurojë të gjithë që as nuk e fsheh këtë krizë të thellë përfaqësimi, dhe njëkohësisht as nuk e garanton, përkundrazi e minon, çeljen e negociatave midis Shqipërisë dhe  Bashkimit Europian.” –u shpreh Meta.

Për kreun e shtetit, kriza mund të zgjidhet vetëm përmes dialogut politik dhe jo retorikave që nxisin veprime të dhunshme, apo metodave policore.

“Tani kriza është thelluar dhe është rënduar edhe më tej pas veprimit të paprecedent të opozitës shqiptare, që është një veprim i papranueshëm dhe i dënueshëm nga ana ime, që ka thelluar seriozisht krizën e përfaqësimit të Kuvendit të Shqipërisë si institucioni kryesor përfaqësues i Republikës së Shqipërisë dhe i qytetarëve shqiptarë.Nuk mund të ketë zgjidhje për këtë krizë, as në mënyrë ultimative apo përmes retorikave që nxisin veprime të dhunshme, as me metoda policore, as me metoda financiare, por vetëm me një dialog politik të shpejtë, serioz dhe të përgjegjshëm, që garanton rivendosjen e jetës politike në normalitet, duke respektuar Kushtetutën, duke respektuar ndarjen e pushteteve, duke respektuar të gjitha ato angazhime, të cilat Shqipëria duhet t’i plotësojë urgjentisht për çeljen e negociatave së afërmi. Çdo ditë që shtyhet ky dialog, çdo ditë që nuk ka përpjekje nga secila palë, përkundrazi kriza, jo vetëm që nuk tejkalohet, por përshkallëzohet, dhe mund të ketë pasoja të paparashikueshme, të cilat janë të papranueshme për qytetarët shqiptarë pas tridhjetë vitesh përvojë.” vijoi kreu i Shtetit.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb