TIRANË

Gjykata e Tiranës ka vendosur t’i japë lirinë 10 prej të arrestuarve pas protestës tek parlamenti, ndërsa ka lënë në burg vetëm njërin prej tyre. Bëhet fjalë për Dorjan Protoduarin, i riu që u arrestua tek Spitali i Traumës pak orë pas protestës tek parlamenti.

Protoduari
Protoduari

Vendimi ka ardhur pasi trupi gjykues ka dëgjuar prokurorinë dhe të arrestuarit me avokatët e tyre.

DETYRIM PARAQITJE
1. Fluturim Goleci,
2. Amarildo Sinanaj,
3. Marsel Velillari,
4. Ruzhdi Daci
5. Shpati Bilbilajn,
6. Erald Muçaj,
7. Ali Nalic,
8. Alban Ahmetcenaj
9. Paolo Ahmetcenaj
10. Lulzim Dozhanin

ARREST ME BURG
11. Dorjan Protoduari

Gazetarja Klodiana Lala raportoi për “BalkanWeb” se seanca është zhvilluar nën masa shumë të rrepta sigurie. Qindra efektivë policie me dhe pa uniformë kanë qenë brenda dhe jashtë Gjykatës ku po zhvillohej njëkohësisht protesa e familjarëve të tyre dhe banorëve të tjerë të Unazës së Re.

Policia Tek Gjykata
Policia Tek Gjykata

Në seancë kanë marrë pjesë edhe deputetët e opozitës, të cilët fillimisht kanë debatuar me policinë pasi nuk ka pranuar t’i lejojë. Por më pas ata kanë hyrë në seancën për masën e sigurisë.
Bëhet fjalë për deputetët e opozitës Aldo Bumçi, Edi Paloka, Ervin Salianji, Klajda Gjosha, Kejdi Mehmetaj, Endrit Braimllari dhe Silva Caka.

Prokuroria kërkoi arrest me burg për 6 nga 11 të arrestuarit: Fluturim Goleci, Amarildo Sinanaj, Marsel Velillari, Dorjan Protoduari, Ruzhdi Daci si dhe për Shpati Bilbilajn. Ndërsa për 5 të tjerë: Erald Muçaj, Ali Nalic, Alban e Paolo Ahmetcenaj dhe Lulzim Dozhanin prokuroria kërkoi detyrim paraqitje.

DËSHMITË
Lulzim Dozhani, një prej të arrestuarëve tha në seancë se nuk ka bërë asnjë të paligjshme vetëm ka mbrojtur shtëpinë e tij. Ai tha se e kanë arrestuar bashkë me gruan dhe djali i tyre ka mbetur vetëm. Avokatët kërkuan lirimin menjëherë të 45-vjeçarit.

Ndërkohë i arrestuari tjetër Ruzhdi Daci, i moshuar dhe babai i një djali 20 vjeç paratetraplegjik tha në gjyq se nuk i është paraqitur asnjë provë dhe duke qenë ish-ushtarak e di çfarë do të thotë element të veprave penale.

“Nuk jam dakord me akuzën. Nuk më është paraqitur asnjë provë. Unë jam ushtarak në pension. E di se çfarë do të thotë element të veprave penale. Kërkova të më nxjerrin prova filmike për akuzat ndaj meje. Më shoqëruan pasi më pandehin militant të PD”, tha Daci.

Avokati i tij Ilir Murati u shpreh se në çdo vend të botës ka zhvillime protestash e nuk mund të arrestohesh se proteston.
Dorjan Protoduari tha se e kanë arrestuar tek spitali ushtarak kur po vizitonte nënën e tij.

Personat e mësipërm akuzohen për “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve shpërthyese dhe i municionit”, Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime dhe manifestime të paligjshme, por edhe për prishjen e qetësisë publike e kryer në bashkëpunim.

Nga përleshja e të enjtes së kaluar para godinës së Parlamentit mbetën të lënduar 15 efektivë të policisë, mes tyre edhe efektivja 26-vjeçare, Ina Nuka, e cila humbi dy gishtat e dorës së djathtë pas shpërthimit të kapsollave të hedhur nga protestuesit.

Ndërkohë jashtë Gjykatës familjarët e personave të arrestuar, banorë të Unazës së Re kërkojnë lirimin e tyre duke akuzuar kryeministrin.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb