TIRANE – Deputeti i Partisë Socialiste, Arben Ndoka ka reaguar dje pas akuzave të bëra nga Partia Demokratike se është emri i tij, ai që fshihet tek raporti i DASH-it që përmend një deputet të dënuar për trafikimin e qënieve njerëzore. Në një reagim në rrjetin social “Facebook”, Ndoka shpjegon të kaluarën e tij duke ngritur akuza ndaj liderit të opozitës, Lulzim Basha se po kërkon ta bëjë pis.

STATUSI I PLOTE I DEPUTETIT ARBEN NDOKA
Ka disa ditë që emri im është rikthyer në debatin politik të opozitës, duke u përpjekur të prodhojnë kapital politik, duke më denigruar mua, familjen time dhe duke spekuluar me të shkuarën time. Në respekt të opinionit publik dhe votuesve të mi, dua të bëj disa sqarime.
20 vite më parë, ndaj meje ka nisur një proces gjykimi në Itali në mungesë time, në mungesë të një avokati të autorizuar nga unë dhe pa dijeninë time, akuza të cilat nuk i kam pranuar dhe jam në një proces për rihapjen e gjykimit kundër tyre. Jam njohur me atë vendim në vitin 2002, dhe kam bërë transferimin e dosjes në Shqipëri, duke e shlyer dënimin e dhënë padrejtësisht në mungesë time. Për dijeni, unë kam jetuar dhe punuar gjithmonë në Shqipëri dhe gjatë gjithë jetës sime kam vetëm dy qëndrime, njërin 6 muaj dhe tjetrin 7 muaj, jashtë Shqipërisë.
Unë kam kryer një dënim për një faj që nuk e kam kryer dhe të ngarkuar në adresë time nga njerëz të tjerë, por shpresoj që procesi që po rihapet ta pastrojë këtë histori aksidentale ndaj meje.
Historinë time reale e njohin bashkëqytetarët e mi me të cilët kam jetuar kam punuar dhe jam votuar prej tyre. Duke filluar nga viti 1996, unë kam punuar në një kompani private në Lezhë, me pas kam shërbyer në Gardën e Republikës dhe pastaj në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Ndërtimit. Ndërkohë kam pasur kompaninë time të përpunimit të duraluminit dhe të gjitha llojet e xhamit, me të cilën kam punuar për vite me radhë në të gjithë vendin.
Në kohën kur Partia Demokratike ka qenë në pushtet pas vitit 2005, kam punuar në Inspektoratin Ndërtimor Urbanistik Kombëtar si Drejtor i Drejtorisë së Ekzekutimit; më pas kam punuar si Drejtor i Drejtorisë së Inspektimit Teknik, po në Inspektoratin Ndërtimor Urbanistik Kombëtar. Prej andej jam larguar me dorëheqjen time, për të kandiduar për deputet në listën e Partisë Socialiste në qarkun Lezhë.
Para se të merrja këtë vendim, kam pasur oferta të hapura dhe të fshehta nga Partia Demokratike për të kandiduar në emër të tyre, por nuk i kam pranuar. Ata që m’i kanë bërë, janë ende në politikë në PD, mundësisht në parlament, dhe mund të dëshmojnë.
Siç mund ta shihni, jeta ime është jeta e një njeriu të zakonshëm shqiptar që ka bërë biznes dhe karrierë në vendin e tij, në administratën e shtetit të tij, pavarësisht nga krahët politikë. Jetëgjatësinë më të madhe në administratën shtetërore e kam pasur në kohën kur në pushtet ka qenë Partia Demokratike.
Ndryshe nga Lulzim Basha dhe të tjerë rreth tij, unë kam bërë biznes, karrierë administrative dhe politike, për shkak të atyre pak apo shumë vlerave që mund të kem pasur, dhe jo i katapultuar nga dikush tjetër për t’u përdorur si kukull për qëllime politike. Zoti Basha tenton të më bëjë pis duke më etiketuar trafikant i qenieve njerëzore, por nëse ekziston dikush në politikën shqiptare që është në krye të një partie vetëm se ka mikluar vajzën e shefit dhe e ka trafikuar këtë miklim në karrierë politike, është pikërisht Lulzim Basha.
Zoti Basha tenton të më bëjë pis për shkak të bizneseve të mia të ndershme, por unë jam një ish-biznesmen që jam bërë politikan, ndërsa Lulzim Basha është një politikan që sillet si biznesmen. Ai nuk jep dot asnjë shpjegim se si është bërë milioner duke qenë politikan. Unë mund të dokumentoj çdo qindarkë timen, se ku e kam fituar e si e kam fituar, ndërsa Basha nuk justifikon dot as milionat e marra si pajë në Holandë, dhe as miliardat e fituara si ministër i ndjekur penalisht si hajdut i 220 milionë eurove. Unë kam vuajtur një dënim të padrejtë që nuk më përket mua, ndërsa Basha ka përdorur pushtetin për të mos u përballur kurrë me një gjykim i cili e akuzon atë për vjedhje të milionave tona, të cilën e ka bërë. Unë nuk i kam borxh askujt asnjë qindarkë dhe aq më pak shtetit tim, ndërsa Lulzim Basha është vrima e shpuar e çdo xhepi shqiptar, të cilit i ka vjedhur edhe qindarkat e fundit.
Unë nuk jam në gjak me askënd, pasi nuk kam vrarë askënd në këtë vend, ndërsa Lulzim Basha është vrasës i padënuar i katër qytetarëve dhe si i tillë është në gjak me tetë fëmijë shqiptarë që po rriten duke e parë si vrasësin e babait të tyre.
Unë nuk i lë Shqipërisë asnjë turp dhe asnjë borxh nëse iki nga politika dhe nga kjo jetë, ndërsa Lulzim Basha me disa pijanecë ordinerë i ka lënë këtij vendi njollën e tradhtisë duke firmosur për shitjen e detit me Greqinë, vetëm për t’i mbrojtur krahët shefit të tij Sali Berisha.
Lulzim Basha nuk më bën dot pis duke përmendur një aksident të jetës sime, shkaktuar nga të tjerë, ndërsa ai vetë është rrethuar me vetëdije nga elementë kriminalë të shoqërisë, të cilët i kanë siguruar atij karrierën politike. Lulzim Basha u bë kryetar bashkie falë keqpërdorimit të një krimineli të dënuar nga gjykatat shqiptare, i quajtur Arben Ristani. Falë atij personi që ishte peng i drejtësisë, Basha u bë kryebashkiak dhe ia ktheu nderin duke marrë një njeri ordiner dhe duke e bërë deputet dhe numrin dy të partisë së tij, që po shkon dita-ditës poshtë e më poshtë.
Nuk di si mund të quhet e pastër partia e Lulzim Bashës, kur numri 1 i saj ka shmangur gjyqin me forcën e pushtetit, numri dy i saj është dënuar për hajdut, dhe deputetë të tjerë mbështetës të tij janë me precedent penal. Çfarë mund të thotë Lulzim Basha për Alban Zenelin, i cili është dënuar me dy vite burg, nga të cilat ka bërë 7 muaj, pasi ka marrë zvarrë në mes të qytetit të Kukësit një grua me makinë?
Çfarë mund të thotë për perversitetin e Genc Pollos, që nga milionat e arsimit e deri te jeta e tij private e mbushur me perversitete.
Çfarë mund të thotë për Genc Strazimirin, i cili, duke tentuar të vetëviktimizohet si kamikaz, kërkon të mbulojë jo vetëm problemet e tij psikike, por dhe defiçencat e inferioritetin që ka ndaj Sali Berishës, për shkak të spiunllëqeve që ka bërë kundër tij.
Nuk dua të vazhdoj më gjatë, por duke u kthyer te raporti im me ju, e di mirë ku qëndron frymëzimi i gjithë kësaj fushate. Ju u dëshpëruat që unë nuk pranova të bëhem me koalicionin tuaj në vitin 2013, ndërsa isha dy herë drejtor i lartë në administratë në kohën që ju ishit në pushtet. Ju ishit deri atëherë mbrojtësit e mi më të mëdhenj dhe avokatët e mi realë, pasi e dinit se dënimi im nuk ka lidhje me mua.
Shumë miq të mi që janë ende deputetët tuaj e dëgjojnë kokulur këtë akuzë, për të cilën kanë luftuar të më hiqet. E kuptoj se ju doni të më penalizoni pse u rreshtova kundër jush më 2013. Por unë nuk kandidova në Lezhë as si shok i vajzës së shefit dhe as si kukull e kryetarit, por si një qytetar që qyteti më njihte dhe nuk kisha kurrfarë droje t’i shikoja njerëzit në sy.
Më vjen ndot kur ju dëgjoj të flisni për vjedhje votash, kur ju vetë në Kurbin në vitin 2013, keni futur më shumë fletë votimi sesa ishte numri i votuesve. Në disa Qendra Votimi janë gjetur 500 vota të PD-së dhe 7 vota të PS-së, ndërkohë që 70 për qind e fshatit jetonin në emigracion, – siç provoi dhe ekspertiza. Të gjithë këto procesverbale ishin firmosur nga e njëjta dorë, nga i njëjti njeri.
Ju ishit ata që tentuat të bënit masakrën në komunën Blinisht të rrethit Lezhë. Gjashtë vetë të pajisur me armë kallashnikov, tentuan të mbushin kutitë e votimit në momentin e mbylljes, para dhjetëra banorësh, por kjo u ndal nga mbështetës të PS-së dhe këtë nuk ma falni.
Më keni sjellë forca të shumta speciale, përfshirë dhe ato të RENEA-s, javën e fundit të fushatës elektorale 2013, për të më vënë nën presion, duke më arrestuar dhe 20 vetë, ku shumica ishin familjarët e mi, dhe keni moral të flisni për vjedhje votash.
Me çfarë morali mund t’i qeverisni bashkitë të cilat keni fituar pasi kryetarët e tyre të sapoemëruar kanë paguar qindra mijëra euro për të qenë kandidatë?
Ju jeni thjesht një parti e frustruar nga humbja që kërkoni të qetësoni veten dhe të mashtroni të tjerët për shkaqe imagjinare humbjeje. Mua nuk më lidh asgjë as me shpifjet tuaja, as me procesin e hapur në Itali në mungesë time, të cilin e kam përballuar me dinjitet. Nga viti 1996 kur jam martuar, kam jetuar në Shqipëri, kam qenë dhe vazhdoj të jem një familjar më i rregullt dhe më i përgjegjshëm se çdo deputet i PD-së në gjithë historinë e tyre, njëkohësisht një deputet i përgjegjshëm për detyrat e mia ndaj elektoratit dhe qarkut në të cilin jam votuar, duke vënë në dispozicion gjithë vullnetin tim.
E përsëris dhe një herë, se unë kam kandiduar në Qarkun Lezhë, dhe në vendlindjen time, aty ku për njerëzit nderi dhe dinjiteti është më i çmuar se karrigia e një deputeti. Një njeri që ka kurajë të përballet me njerëzit me të cilët ka jetuar dhe është rritur, nuk mund të krahasohet me një emigrant të rikthyer në Shqipëri, për shkak të buzëqeshjeve të dhuruara, për të bërë të ndihet e bukur vajza e shefit të tij, që më pas t’i garantojë jo vetëm karrierën politike, por dhe mbrojtjen ligjore për krimet e padënuara të tij. Nëse në këtë vend një ditë duhet të fillojë procesi i dekriminalizimit, duhet të nisë me ata që kanë mbyllur gjyqet pa u zhvilluar dhe jo me ata që kanë pësuar dënime dhe gjyqe pa bërë asgjë. Dhe në krye të kësaj liste je ti, Lulzim Basha!
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: