Deputeti gjerman, Thomas Hacker, raportues i Bundestagut për Ballkanin Perëndimor, në një intervistë për të përditshmen malazeze “Pobjeda” ka komentuar zhvillimet në rajon me theks të veçantë mbi turneun rajonal të drejtorit të CIA-s, William Burns, në Sarajevë, Beograd e Prishtinë, por edhe marrëveshjen e Serbisë me bllokun perëndimor për litiumin dhe blerjen e aeroplanëve luftarakë nga Franca. “I ashtuquajturi partneritet i litiumit me Serbinë është shumë më tepër se një marrëveshje ekonomike. Kjo ka edhe pasoja të rëndësishme politike,” – përcjell kdp.mk disa pjesë nga intervista e parlamentarit gjerman.

“Përpjekjet që synojnë të minojnë rendin kushtetues të Bosnjë-Hercegovinës si dhe Marrëveshjen e Paqes të Dejtonit nuk mund të mbeten pa u ndëshkuar. SHBA mori vendimin e duhur për të vendosur sanksione ndaj Milorad Dodikut dhe zyrtarëve të tjerë serbë. Marrëdhëniet mes Milorad Dodik-it dhe Aleksandar Vuçiqit nuk do t’i quaja miqësi, sepse është evidente se Dodik është larg asaj që të vlerësojë ndërhyrjen e vazhdueshme të Beogradit. Nuk i duhet Vuçiqi që të luajë lojën e tij të lirë duke paralizuar proceset e vendimmarrjes dhe duke rrezikuar vazhdimisht integritetin territorial të Bosnjë-Hercegovinës. Mendoj se shumë vendimmarrës në rajonin e Ballkanit Perëndimor do t’i bëjnë lëvizjet e tyre të ardhshme të varura nga rezultati i zgjedhjeve në SHBA në nëntor. Gjermania dhe Evropa në tërësi duhet të përgatiten për një skenar të dytë të mundshëm të Trumpit. Askush nuk mund të kapet sërish në befasi, siç ndodhi në vitin 2016. Kjo gatishmëri duhet të përfshijë edhe Ballkanin Perëndimor”, ka thënë Hacker.

Duke komentuar takimin e paradokohshëm të kancelarit gjerman Olaf Solz dh presidentit serb, Aleksandar Vuçiq në Beograd në lidhje me marrëveshjen e litiumit për aleancën e ardhshme të rëndësishme ekonomike të Serbisë dhe BE-së, “Pobjeda” e ka pyetur raportuesin e Bundestagut se “si mund ta përdorë Vuçiqi këtë, për shembull për të forcuar ndikimin e tij në rajon në mënyrë që të  përmbushë potencialisht qëllimet e tij në lidhje me agjendën e “botës serbe”, për shkak se Serbia po bëhet një partner i rëndësishëm i BE-së?

“I ashtuquajturi partneritet i litiumit me Serbinë është shumë më tepër se një marrëveshje ekonomike. Kjo ka edhe pasoja të rëndësishme politike. Edhe para marrëveshjes, Gjermania dhe BE-ja akuzoheshin se po e qetësojnë Serbinë autokratike. Kjo përbën një goditje të madhe për fuqinë normative të Evropës në fqinjësinë e saj dhe tashmë ka zhgënjyer shumë aleatë demokratë dhe organizata të pavarura të shoqërisë civile në Serbi dhe më gjerë. Pra, dyshoj seriozisht se marrëveshja e litiumit, si dhe marrëveshja për aeroplanëgjuajtësit “Rafale” midis Francës dhe Serbisë, do ta bëjnë Serbinë më demokratike. Ne duhet të ndalojmë së qeni naivë për marrëdhëniet tona me Serbinë dhe duhet të reshtim së qetësuari nga e para regjimin e Aleksandar Vuçiqit. Pas të dyja marrëveshjeve, unë jam skeptik se Perëndimi  e ka nxënë mësimin. Idetë që lidhen me agjendën e “botës serbe” duhet të merren seriozisht, por në të njëjtën kohë ato nuk duhet të interpretohen së tepërmi. Kostot politike të kësaj do të ishin shumë të larta – madje për njerëz si Aleksandar Vuçiqi”, ka deklaruar Hackerit, raportues i Bundestagut gjerman për Ballkanin Perëndimor.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb