Deputeti shqiptar, Alban Zeneli, i cili është njëherësh edhe nënkryetar i Komisionit Hetimor Parlamentar që po heton vlefshmërinë e dekreteve të Presidentit Ilir Meta për 30 qershorin, ka zhvilluar disa takime të rëndësishme, gjatë një vizite pune në Washtington.

Deputeti Zeneli është takuar me Këshilltarin e Komitetit të Helsinkit në Kongresin Amerikan, Robert Hand, dhe zyrtarin e Departamentit të Shtetit, Mixhael Schena, me të cilët ka diskutuar për përmbylljen e Reformës në Drejtësi, realizimin e Reformës Zgjedhore, si dhe strukturimin sa më parë të një opozitarizmi substancial të djathtë në Shqipëri.

“Po nuk pati një maturim dhe vetëdijësim prej shtetarësh nga të gjithë politikanët shqiptarë në Qeverisje apo në Opozitë, në Kuvend apo jashtë Kuvendit, të gjithë bashkë, për tu dhënë shqiptarëve një Reformë Zgjedhore e cila garanton lirinë dhe barazinë e garës, lirinë dhe integritetin e shprehjes së vullnetit të qytetarëve me votën e tyre, ne do ti humbasim Shqipërisë kohën dhe çdo shans”, ka thënë ndër të tjera deputeti Zeneli.

Mesazhi i plotë:
Gjatë vizitës sime të punës në Washington DC pata kënaqësinë të zhvilloj takime edhe me shumë miq e dashamirës të Shqipërisë nga institucione dhe organizata të ndryshme të SHBA. Jam takuar gjithashtu edhe me z. Robert Hand i cili është Këshilltari i Komitetit të Helsinkit në Kongresin Amerikan si edhe me z. Michael Schena nga Departamenti i Shtetit.

Thelbi i bisedave që kam zhvilluar me miqtë në SHBA ka qenë domosdoshmëria e mbështetjes së plotë dhe e përmbylljes me sukses të Reformës në Drejtësi, realizimi dhe kryerja e thellë, e sinqertë, parimore dhe thelbësore e Reformës Zgjedhore, si edhe strukturimi sa më parë i një opozitarizmi substancial të djathtë në Shqipëri. Reforma Zgjedhore është një prioritet madhor për vendin tonë.

Po nuk pati një maturim dhe vetëdijësim prej shtetarësh nga të gjithë politikanët shqiptarë në Qeverisje apo në Opozitë, në Kuvend apo jashtë Kuvendit, të gjithë bashkë, për tu dhënë shqiptarëve një Reformë Zgjedhore e cila garanton lirinë dhe barazinë e garës, lirinë dhe integritetin e shprehjes së vullnetit të qytetarëve me votën e tyre, ne do ti humbasim Shqipërisë kohën dhe çdo shans.

Është në përgjegjësinë tonë politike, është misioni ynë absolut që tu japim shqiptarëve një Reformë të drejtë dhe të vërtetë Zgjedhore. Jam besimplotë që bashkë me SHBA do të arrijmë ti realizojmë të gjitha këto objektiva. Zoti i bekoftë SHBA.

  • foto galeri
  • foto galeri

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb