TIRANE- Deputeti i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi thotë se “vettingu faktit i kryeministrit Rama ka ‘mbyllur’ Gjykatën e krimeve të Rënda”. Përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”, deputeti demokrat shkruan se “Pas mbylljes së Gjykatës Kushtetuese, rrënimit të Gjykatës së Lartë, de facto u mbyll edhe Gjykata dhe Prokuroria e Krimeve të Rënda. Falë Edi Ramës reformator. Kush guxon e kundershton apo i hap probleme Kryeministrit, shpejt do të përballet me vettingun”.

Sipas deputetit demokrat kjo bëhet me qëllim për të mbrojtur ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri.

POSTIMI I PLOTE
Vettingu faktik i Ramës “mbyll” Krimet e Rënda‎.

Kur plasën përgjimet e Habilajve që implikonin Tahirin, e pasi Prokuroria e Krimeve të Rënda kërkoi arrestimin e tij, në fillim Edi Rama sulmoi prokurorët e Krimeve të Rënda si “veriorë”.

Më pas, Edi Rama‎ urdhëroi deputetët e tij të kthenin ‎Parlamentin në gjykatë e të refuzonin kërkesën e Prokurorisë së Krimeve të Rënda për arrestim të Tahirajt.

Më pas Edi Rama urdhëroi ekstradimin e Seitajt, ‎dëshmitarit kyç kundër Tahirit, që ta linte Prokurorinë e Krimeve të Rënda me duar bosh.

Më pas Edi Rama urdhëroi Fatmir Xhafen‎ dhe Arta Markun që të krijonin task-forca në prokuroritë e rretheve për hetimin e krimit të organizuar, duke i marrë de facto kompetencën Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Pra i priste këmbët.

Më pas Gjykata e Lartë, në grahmat e fundit para se të mbylle kanatat përpara presionit të Kryeministrit, si Gjykata Kushtetuese, me një vendim vendosi që krimet e renda në të cilat nuk ka grup të strukturuar kriminal, t’i kalojnë prokurorive dhe gjykatave të rretheve që kontrollon drejtpërdrejt Prokurorja Provizore. Me këtë akt, Krimet e Rënda kanë mbetur pa punë. Një investim gjigand me miliona euro, që ka çuar pas hekurave qindra kriminelë, sot është hedhur në plehra. Pasoja: 613 kg kokainë të Maminasit transferohen nga Krimet e Rënda në prokurorinë e Durrësit. Fundja ç’grup i strukturuar kriminal ishte ai?! Një shofer, një punonjës dhe administrator i kishin sjellë 613 kg kokainë.

Në fund, Krimet e Rënda do të zëvendesohen nga SPAK, me kismet kur ky i fundit të ngrihet. Deri atëherë kanë ngelur duarbosh. Si një luan pa dhëmbë.

Pas mbylljes së Gjykatës Kushtetuese, rrënimit të Gjykatës së Lartë, de facto u mbyll edhe Gjykata dhe Prokuroria e Krimeve të Rënda. Falë Edi Ramës reformator. Kush guxon e kundërshton apo i hap probleme Kryeministrit, shpejt do të përballet me vettingun.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb