TIRANE- Deputeti i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi ka akuzuar sërish kryeministrin Rama se po tenton të kapë organet e reja të drejtësisë, KLGJ dhe KLP. Në një deklaratë për mediat, në nisje të mbledhjes së nënkomisioneve për këto dy organe të reja, deputeti i PD tha se Rama me veprimet e tij po tenton të mbrojë ish-ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri.

“Në vend që të dorëzojë në ekstradim kriminelë të dënuar për trafiqe droge në Itali, si Durim Keçi apo Agron Xhafaj, i liron apo nuk i ekstradon. I liron me vendim gjykate vetëm e vetëm që ata të mos ekstradohen, ndërkohë personat të cilët janë nën hetim për krim të organizuar për trafik droge në çështjen e famshme Tahiri-Habilaj, dëshmitarin kyç si Nezir Seiti i cili është nën hetim nga Prokuriora e Krimeve të Rënda me vendim gjykate e transferon në Itali, vetëm e vetëm që bllokojë dhe të mbyllë çështjen Tahiri–Habilaj.

Edi Rama është duke bërë çmos që nëpërmjet bllokimit të drejtësisë me reformën që po kap edhe sot nëpërmjet KLGJ-së dhe KLP-së, vë në dispozicion Prokurorinë, Policinë dhe çdo segment tjetër, po bën çmos që të mbrojë Sajmir Tahirin, sepse nëpërmjet mbrojtjes së tij, mbron veten e vet. Ne do të vazhdojmë luftën e fortë, sepse pa u dënuar Sajmir Tahiri dhe kriminelë të tjerë të cilët mbështesin këtë qeveri, Edi Rama nuk mund të bëjë drejtësi për shqiptarët”, tha deputeti Bylykbashi.

Në mbyllje të fjalës së tij, deputeti demokrat tha se PD nuk do ta lejojë kapjen e sistemit të drejtësisë.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb