TIRANË- Deputeti i PD-së Oerd Bylykbashi ka bërë një tablo të errët të drejtësisë në vend. Në një status relativisht të gjatë në “Facebook”, Bylykbashi thotë se sistemi i drejtësisë është në koma, duke renditur edhe arsyet që nga mbyllja e Gjykatës Kushtetuese deri tek mosngritja e SPAK.

Bylykbashi thotë se sa kohë janë të bllokuara organet larta të drejtësisë, prokurorët do të jenë pa mbrojtje dhe nën presionin e qeverisë.

Sipas tij, ky ishte skenari i kapjes politike nga Rama të drejtësisë që sot është në zbatim të plotë.

Nga Oerd Bylykbashi
Dekalogu i Rrëmujës dhe Kolapsit të Drejtësisë‎
‎Sistemi i drejtësisë është në koma. ‎Deri kur nuk dihet. Edi Ramës kryeministër kjo i intereson shumë. Kështu mban të bllokuar hetimin për ministrat e tij të përfshirë në trafiqe droge dhe korrupsion. Shqiptarëve kjo nuk u intereson aspak. ‎Megjithatë kam dëgjuar analistë sharlatanë që thonë më mirë pa gjykata se me gjykata të korruptuara. Do të doja t’i shihja kur t’u marrin pronën apo t’i arrestojnë pa të drejtë ku do të ankohen. Ky është dekalogu:

‎1- Gjykata Kushtetuese është mbyllur de facto. Nga 9 anëtarë, vetëm 4 janë me mandat të plotë madje një prej tyre ende është nën tehun e vettingut dhe ndërkohë duhen jo më pak se 6 anëtarë që Gjykata të mblidhet. Nuk dihet kur Gjykata Kushtetuese do të rikthehet në funksionim. Jo vetëm që mund të ketë anëtarë të tjerë që largohen por nuk emërohen dot të tjerë. Pa këtë gjykatë, askush nuk mbron dot të drejtat e tij kushtetuese të shkelura nga qeveria. Ish-pronarët janë të parët që e vuajnë dhunimin e të drejtës së tyre. Me vendime qeverie u bëhet nul e drejta e tyre e pronës dhe me ligje antikushtetuese prona që duhet t’u kthehet atyre po i jepet oligarkëve nën petkun e “investitorëve strategjikë”.‎

2- Gjykata e Lartë është paralizuar de facto, ka më pak se gjysmën e anëtarëve të saj, ndërkohë që ka mbi 20 mijë dosje të pagjykuara. Thashethemet metropolitane flasin për anëtarë të tjerë që do të largohen nga vettingu. Një gjykatë që tashmë e Lartë është vetëm në letër.‎ Kush ka hall e pret drejtësi atje, ta flejë mendjen për një kohë të gjatë.‎

3- Këshilli i Emërimeve në Drejtësi i paralizuar me pretekstin se anëtarët e tij nuk i janë nënshtruar vettingut‎ edhe pse ligji nuk e kërkon këtë si kusht paraprak. Ligji thotë që anëtarët e KED i nënshtrohen me përparësi vettingut pasi emërohen, por jo që pa u bërë vettingu nuk emërohen siç është rasti i KLGJ apo KLP apo Prokurorit të Përgjithshëm. E vërteta është se Ramës nuk i pëlqen përbërja aktuale e KED. Ai e di se bllokimi i KED bllokon procesin e zëvendësimit te vendeve bosh në Gjykatën Kushtetuese dhe të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë. Ky i fundit është figura kyçe për vënien para përgjegjësisë të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Pa u emëruar Inspektori, rolin e tij po e luan Ministrja e Drejtësisë e Ramës. Pra qëllimi është i qartë: të bllokohet Gjykata Kushtetuese dhe ILD derisa të krijohen kushtet për të caktuar njerëzit që do Rama.‎

4- Këshilli i Lartë Gjyqësor është i bllokuar. Janë caktuar me short të korruptuar politikisht vetëm 5 anëtarët e parlamentit. Ka tre muaj që ka mbaruar punë Kuvendi me pjesën e tij por 6 gjyqtarët që duhen emëruar nga vetë gjyqtarët janë ende të bllokuar nën pretekstin e vettingut. Nuk dihet kur do të dalin kandidaturat, por me siguri kur të ketë zgjedhur Edi Rama emrat që i bëjnë punë për të kontrolluar totalisht KLGJ.

5- ‎Këshilli i Lartë i Prokurorisë është i bllokuar. Si në rastin e KLGJ, janë caktuar me short të korruptuar politikisht vetëm 5 anëtarët e parlamentit. Ka tre muaj që ka mbaruar punë Kuvendi me pjesën e tij por 6 prokurorët që duhen emëruar nga vetë prokurorët janë ende të bllokuar nën pretekstin e vettingut. Nuk dihet kur do të dalin kandidaturat, por me siguri kur të ketë zgjedhur Edi Rama emrat që i bëjnë pune për të kontrolluar totalisht KLP nëpërmjet Prokurores Provizore.‎

‎6- Gjykata e Krimeve të Rënda dhe Prokuroria e Krimeve të Rënda janë paralizuar. Parlamenti nuk lejon të arrestohet Tahiri, Ministrja e Drejtësisë me Prokuroren Provizore i heqin dëshmitarët nga duart, mediat e kryeministrit i sulmojnë verbalisht, ‎Ministri i Brendshëm dhe Prokurorja Provizore i hoqën kompetencat ligjore vetëm me një marrëveshje mes tyre me të cilën ngritën task forca të paligjshme.

7- Prokurori i Përgjithshëm mbahet i bllokuar sa kohë nuk ngrihet KLP. Sipas Kushtetutës, kandidatët për Prokuror të Përgjithshëm duhet të propozohen nga vetë prokurorët dhe jo si Prokurorja Provizore që u propozua nga 28 deputetë të PS. Sipas Kushtetutës, kandidatët që i çohen Kuvendit për votim përzgjidhen nga KLP. Pra sa kohë KLP nuk ngrihet dot, nuk ka as kandidatë për Prokuror. Sipas Kushtetutës kandidatët duhet t’i nënshtrohen fillimisht vettingut e më pas të votohen nga ‎Kuvendi. Me këtë ritëm breshke, një Zot e di se kur do të ndodhë kjo. Nëse do ishin miratuar amendamentet kushtetuese të opozitës, tani do kishim Prokuror kushtetues. Por kjo u rrëzua. Kemi surrogatin e Prokurorit të Përgjithshëm, Prokuroren Provizore antikushtetuese që mesa duket do të jetë afatgjatë për aq kohë sa t’i duhet Kryeministrit.

8- SPAK i famshëm (gjykata e posaçme dhe prokuroria e posaçme kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit) nuk është ngritur e nuk ngrihet dot sepse është bllokuar KLGJ‎ që do të emërojë gjyqtarët dhe KLP që do të emërojë prokurorët e SPAK. Sa kohë qe nuk ngrihet SPAK, krimet e rënda do t’i hetojnë task forcat e paligjshme të Fatmir Xhafës që kontrollon edhe Prokuroren Provizore. Pra qeveria do hetojë Habilajt dhe Tahirin, ministrat dhe kryebashkiakët e korruptuar. E kush e beson këtë?

9- Sa kohë janë të bllokuara organet larta të drejtësisë, prokurorët do të jenë pa mbrojtje dhe nën presionin e qeverisë. Si ata prokurorët që firmosën urdhër-arrestet e falsifikuara të protestuesve kuksianëve që ishin rrëmbyer në mes të natës nga shtëpitë, sikur arrestet ishin bërë në ora 10.00.

10- Sa kohë janë të bllokuara organet e drejtësisë, gjyqtarët do të jenë nën presionin e qeverisë. Si ‎ajo gjyqtarja që konfirmoi si të ligjshme të gjitha veprimet e paligjshme të policisë dhe prokurorisë ndaj protestuesve kuksianë. Ndërkohë Sajmir Tahiri mbrohet me vendim parlamenti që vendos ai e jo gjykata se çfarë përbën provë.

Kjo është gjendja aktuale e kolapsit të sistemit të drejtësisë. Një Rrumpallë në Drejtësi, aspak reformë. Ky ishte skenari i kapjes politike nga Rama të drejtësisë që sot është në zbatim të plotë. Rama kërkon që ta ruajë sa më gjatë këtë situatë, të vazhdojë të qeverisë me vendimet e tij, pa ligj, pa frikën se gjykatat e kundërshtojnë, pa frikën se ai dhe ministrat e tij do hetohen e dënohen.

Ndërkohë buçasin tamtamet e Ramës sikur vettingu është drejtësia e re, vetëm që të mbulojë këtë kolaps të qëllimshëm. ‎Por organet e vettingut nuk zgjidhin çështje gjyqësore pronash. Maksimumi, do i zgjidhin çështjet gjyqësore të pronave anëtarit të komisionit të vettingut që ka çështje të hapura pronash me allishverishe, në një nga gjykatat e vendit. Fundja, cili gjyqtar do të guxonte të mos i jepte të drejtë?‎

Sigurisht, shumë gjyqtarë e prokurorë që me korrupsion kanë bërë pasuri do të ikin. Gjë shumë e mirë. Por a keni parë deri tani ndokënd që të ketë vilë gjigande si ajo e Kryeministrit që e ka ndërtuar me vetëm 3 mijë euro dhe shitjet e librit “Kurban” e që mesa duket ia kalon dhe bestseller-it “Harry Potter”?

‎Dhe ky është vetëm fillimi i rrëmujës dhe kolapsit në drejtësi. Mjerë ai hallexhi që sot ka hall dhe duhet t’i drejtohet gjyqësorit. Do t’i duhet të presë gjatë.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb