Prokurimet publike në Shqipëri janë rikthyer në debatin e Parlamentit Europian. Deputeti austriak i Parlamentit Europian, Paul Ruebig, i dërgoi dje një letër përfaqësueses së Lartë për Politikën e Jashtme e të Sigurisë të BEsë, Federica Mogherini, në lidhje me kompaninë “Air Albania” dhe aeroportin e Vlorës.

Në letrën e tij, deputeti drejton dy pyetje, duke u nisur nga raportimet mediatike në Shqipëri. “Bazuar në shumë raportime mediatike në Shqipëri kanë ndodhur shkelje ligjore në fushën e prokurimeve dhe konkurrencës, lidhur me krijimin e linjës ajrore “Air Albania” si dhe me ndërtimin e aeroportit të Vlorës. Ato tregojnë se në këto dy raste përcaktimet e Marrëveshjes së Stabilizim- Asociimit janë shkelur; po ashtu ato bien në kundërshtim me normat e Organizatës Botërore të Tregtisë (WTO). Më tej, sipas raportimeve mbi këto raste, organet mbikëqyrëse në Shqipëri nuk e kanë përmbushur rolin e tyre”, shkruan eurodeputeti austriak.

Ai i kërkon zonjës Mogherini që të shqyrtojë përputhjen e këtyre prokurimeve nga qeveria shqiptare me standardet e BE-së. “Në lidhje me sa më lart, ju drejtojmë këto pyetje: A përputhen vlerësimet ligjore të këtyre raportimeve mediatike mbi shkelje ligjore në fushën e prokurimeve dhe konkurrencës nga Qeveria e Shqipërisë me opinionin ligjor të Komisionit Europian? Në rast se po: cilat janë veprimet konkrete të Komisionit Europian në dy rastet e lartpërmendura si dhe në përgjithësi në të ardhmen, në mënyrë që në Shqipëri të zbatohen rregullat e prokurimit e të konkurrencës dhe kështu të respektohen detyrimet që rrjedhin nga Marrëveshja e Stabilizim- Asociimit si dhe normat e Organizatës Botërore të Tregtisë?”, shkruan eurodeputeti austriak Paul Ruebig.

Një muaj më parë, për të njëjtën çështje, deputeti holandez Dieter Omtzigt iu drejtua me një letër ministrit të Jashtëm holandez në prag të vizitës së tij në Tiranë, Stefan Blok. “Si e vlerësoni faktin se qeveria shqiptare shkeli Marrëveshjen e Stabilizim- Asociimit midis BE dhe Shqipërisë, si në rastin e ndërtimit të Aeroportit të ri në Vlorë dhe në themelimin e ‘Air Albania’ dhe se kontratat janë dhënë direkt pa garë të hapur për kompanitë turke, kompaninë shtetërore shqiptare dhe kompaninë private shqiptare (të dyshimtë) që u krijua nëntë ditë përpara, në atë kohë, që nuk ka përvojë në fushën e aviacionit? A jeni në dijeni të shembujve të tjerë që tregojnë se qeveria e vendit në fjalë shkel traktatet ndërkombëtare të BE-së? Si shkeli Shqipëria MSA-në, neni 74 (3)?”, pyet deputeti holandez ministrin e tij të Jashtëm, Stefan Blok.

Deputeti Dieter Omtzigt vë në dyshim të madh nëse ndonjë tender publik në Shqipëri është bërë në përputhje të rregullave të pranuara nga BE. “A mund të jepni një shembull të një projekti të rëndësishëm në Shqipëri, ku procedurat e tenderit janë kryer në përputhje me rregullat e BE-së? Kur do të diskutohet kjo çështje në Këshillin e Stabilizim-Asociimit, siç parashikohet në nenin 126 të Marrëveshjes së Stablizim-Asociimit? A mund të tregoni se cilat detyrime përmbush Shqipëria nga marrëveshja e MSA-së dhe cilat jo? A mund t’u përgjigjeni këtyre pyetjeve një nga një brenda tri javëve?”, përfundon serinë e pyetjeve deputeti holandez Dieter Omtzigt, drejtuar ministrit të Jashtëm, Stefan Blok.

LETRA E PLOTË

Pyetje parlamentare bazuar në nenin 130 të Rreg. PE

Drejtuar: Përfaqsueses së Lartë per Politikën e Jashtëme e të Sigurisë të BE znj. Federica Mogherini/Komisioni Europian
Nga: Dr. Paul Ruebig, deputet i Parlamentit Europian

Lënda: shkelje ligjore në fushën e prokurimeve dhe konkurrencës nga Qeveria e Shqipërisë

Teksti: Bazuar në shumë raportime mediatike në Shqipëri kanë ndodhur shkelje ligjore në fushën e prokurimeve dhe konkurrencës lidhur me krijimin e linjës ajrore “Air Albania” si dhe me ndërtimin e aeroportit të Vlorës. Ato tregojnë se në këto dy raste përcaktimet e Marreveshjes së Stabilizim Asociimit janë shkelur; po ashtu ato bien në kundërshtim me normat e Organizatës Botërore të Tregtisë (WTO). Më tej, sipas raportimeve mbi këto raste, organet mbikqyrëse në Shqipëri nuk e kanë përmbushur rolin e tyre.

Letra E Deputetit Të Pe Drejtuar Mogerinit

Në lidhje me sa më lart ju drejtojmë këto pyetje:

– A përputhen vlerësimet ligjore të këtyre raportimeve mediatike mbi shkelje ligjore në fushën e prokurimeve dhe konkurrencës nga Qeveria e Shqipërisë me opinionin ligjor të Komisionit Europian?
– Në rast se po: cilat janë veprimet konkrete të Komisionit Europian në dy rastet e lartpërmendura si dhe në përgjithësi në të ardhmen në mënyrë që në Shqipëri të zbatohen rregullat e prokurimit e të konkurrencës dhe kështu të respektohen detyrimet që rrjedhin nga Marreveshja e Stabilizim Asociimit si dhe normat e Organizatës Botërore të Tregtisë?

Panorama

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb