Nënkryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Erjon Braçe është zëri i parë brenda mazhorancës që ka reaguar lidhur me vendimin e Gjykatës së Apelit të Krimeve të Rënda për shpalljen e pafajshme të bandës “Hakmarrja për Drejtësi”.

Në një status të publikuar në rrjetin social “Facebook”, Braçe indirekt e përshëndet vendimin duke u shprehur ndër të tjera se anëtarët e “Hakmarrjes” nuk mund të cilësohen banditë, për aq kohë sa sipas tij ata kanë marrë edhe statusin e azilantit politik në vendet e BE-së.

Duke replikuar në distancë edhe me akuzat e Berishës ndaj kësaj bande, Braçe shkruan:

I mirekuptoj ulërimat e Sali Berishës për këtë “Hakmarrjen” e tij. Natyrisht që i dëgjoj me vëmendje dhe “konkluzionet” e tij me Albanistan, banda, lidhje të banditit Edi Rama me banditë të tjerë.
Ashtu siç edhe klithmat e çunit, për skenarë me banditë në zgjedhje.
Hall tjetër ky çuni, Lulzimi gjithnjë.
Një pyetje e kam ama
Po këto vendet e BE që kanë 20 vite që i kanë dhënë “azil politik”, edhe një herë “azil politik”, këtyre “banditëve” të shpallur nga Sali Berisha e Lulzim Basha, të dominuar nga banditët janë?
Domethënë Sali e Lulzim;
Vendimi nuk është dhënë sot (dje)! Kot bërtisni!
Në BE, ka vite që kanë marrë këtë vendim.
Banditët e shpallur nga ju, janë azilantë politikë, të mbrojtur në vendet e BE-së.
Domethënë vendimet e gjykatave këtu, në kohën tuaj, nuk janë marrë hiç parasysh në BE, përkundrazi, ato vendime i kanë dhënë azilin politik atyre.
Këtë a na i shpjegoni dot?
”, – shkruan Braçe në “Facebook”.

Pjesë e këtyre akuzave të deputetit socialist në adresë të ish-kryeministrit, Sali Berisha dhe kreut të PD-së, Lulzim Basha është bërë edhe zëdhënësja e FSHF-së, Jona Dervishi.

“Bir selman i nënës, kë të qaj më parë”, – shkruan Dervishi në postimin e Braçes.
Më herët Berisha, ka akuzuar zëdhënësen e Federatës Shqiptare të Futbollit, për përfshirje në trafik droge.
Untitled
Nga foltorja e Kuvendit, Berisha tha se zotëron foto që vërtetojnë se Dervishi bashkëpunon me vëllain e kryeministrit Rama, Olsi Ramën, në trafik kokaine.

“Edi Rama ka një vëlla, Olsi Rama, qytetar shqiptar e amerikan. Kur denoncova se u kthye për afera e trafiqe, asnjë prej jush nuk i besoi, por e vërteta është kjo. Olsi Rama, këtu kam me data me foto e çdo gjë, por me çfarë thoni ju, me makinën e kreut të grupit të kokainës, së bashku me një ndrikull që punon diku në Federatën Shqiptare të Futbollit, një Jona, Jona, a si quhet. Kjo makinë është gjetur nga prokuroria e shtetit si e përshtatur me vende të fshehta për transport kokainë. Kush të dojë i ka këtu të gjitha hyrjet e daljet e vëllait të kryeministrit, ndrikullës Dervishi dhe makinës së drogës të Genti Gjonajt”, ­ akuzoi ish-kreu i qeverisë.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb