TIRANE– I ftuar në rubrikën ‘Opinion’ në News24, deputeti i PS, Bledi Çuçi tha se ka një krizë mosbesimi mes institucioneve për çështjen ‘Tahiri’. Deputeti i PS tha se gjatë seancës së Këshillit të Mandateve ku u diskutua kërkesa për heqjen e mandatit të Saimir Tahirit, Prokuroria e Krimeve të Rënda i ofroi dokumente në lidhje me hetimet anëtarëve të PD.

“Ka një klimë mosbesimi institucional të mbjellë nga vetë Prokuroria. Gjatë seancës në Këshillin e Mandateve ne pamë që Prokuroria u kishte ofruar anëtareve të opozitës dokumente që nuk i ishin dorëzuar Këshillit të Mandateve. Prokuroria i mbante ato si dosje sekrete. Por ato nuk përbëjnë asgjë, pasi ato nuk përbënin sekret. Nuk ka dëshmitar të mbrojtur dhe nuk thotë asgjë për hetimin dhe Saimir Tahirin. Unë do doja të kishte një klimë më të mirë mes opozitës dhe mazhorancës”- tha Çuçi.

Ndërkohë në lidhje me seancën e nesërme të Kuvendit për çështjen ‘Tahiri’ ku do diskutohen dhe votohen raportet e Këshillit të Mandateve për Saimir Tahirin, deputeti i PS tha se mazhoranca e ka marrë vendimin si do veprojë. Ai tha se Prokuroria është e lirë të hetojë Tahirin, por mazhoranca do përjashtojë arrestimin e tij.

“Nuk e di si do shkojë seanca nga pikëpamja e rendit dhe nuk e di nëse opozita do jetë në votim. Ne e kemi marrë vendimin si do veprojmë nesër. Ne jemi të qartë në atë që do shprehim nesër dhe do i japim mundësi Prokurorisë të hetojë nëse është i përfshirë Tahiri apo jo, por ne do përjashtojmë arrestin e tij, pasi nuk ka asnjë fakt që Tahiri është pjesë e kësaj bande që po gjykohet në Itali”- tha Çuçi.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: