Deputeti i Partisë Socialiste, Piro Lutaj, njëherazi anëtar i Komisionit parlamentar të Sigurisë ka reaguar sot mjaft ashpër ndaj vendimit të autoriteteve greke për të dënuar rekrutët me origjinë shqiptare që dolën në foto me simbolin kombëtar të shqiponjës. Në një postim në rrjetin social “Facebook”, Lutaj e cilëson Greqinë një shtet racist ndërsa presionet e Athinës i etiketon të ulta, referuar faktit që jemi dy vende anëtare të NATO-s. Reagimi i tij vjen fill pasi ministri grek i Mbrojtjes, Panos Kamenos kërkoi dëbimin e të gjithë shqiptarëve që nuk duan të ndihen grekë ndërsa paralajmëroi dënim të ashpër për rekrutët që pozuan me simbolin e shqiponjës.
Untitled
Postimi i Piro Lutaj
Është e disata herë radhazi, që shteti rracist grek ndërmerr masa të tilla ekstreme ndaj shtetasve të vet, duke mos iu respektuar liritë themelore të parashikuara jo vetëm në konventat europiane e ndërkombëtare, por edhe në legjislacionin e brendshëm të tyre.
Bërja e simbolit të shqiponjës nga rekrutët me origjinë shqiptare, nuk kishte asnje arsye qe të konsiderohej e rrezikshme nga autoritetet greke te Ministrisë së Mbrojtjes.
Është njëlloj sikur autoritetet shqiptare të merrnin masa ndaj dhjetra flamujve grekë, të cilët janë vendosur kudo nëpër banesa të shtetasve shqiptarë, kryesisht në jug të vendit.
Megjithatë ky lloj presioni që vjen nga ministri grek i mbrojtjes, është i përsëritur dhe i ulët, e për më tepër ndaj një fqinji dhe homologu antar i NATO-s.
E kuptoj pozitën e vështirë politike të Panos Kamenos, i cili ndodhet në pikiatë elektorale, por kjo nuk e motivon atë në përdorimin e gjesteve të tillë në dëm të reciprocitetit mes dy fqinjve për të realizuar qëllimet e tij personale. Shpresojmë për një zgjidhje diplomatike me qeverinë greke të këtij problemi, dhe mospërsëritjen e tij në të ardhmen.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb