TIRANE- Deputeti i PS, Ervin Bushati tha se pas 31 dhjetorit do mbyllen të gjitha bastet në Shqipëri duke përfshirë edhe ato online. I ftuar në rubrikën ‘Opinion’ në News24 deputeti i PS tha se bixhozi u kthe në epidemi dhe si bëri thirrje opozitës të marrë pjesë në votimin e pr.ligjit të enjten në Kuvend.

“Lojërat e fatit dhe bixhozi është plagë e shoqërisë dhe ves. Në bastet në Shqipëri luajnë edhe fëmijët. Nuk do ketë baste sportive, kazino dhe baste online. Pjesa online është e ndaluar me ligj. Bixhozi është ves dhe u kthye në epidemi. Varësia nga bixhozi është njësoj si varësi nga drogat e rënda. Mua më vjen keq që opozita nuk ishte sot në Komisionin e Ekonomisë dhe shpresoj të vijë ta votojë në Kuvend”- tha deputeti.

Ervin Bushati u shpreh se do propozohet edhe rritja e tatim fitimit për lojërat e fatit. Sipas tij Kazinotë do jenë vetëm në resortet me 5 yje.

“Ne duam që ta bëjmë një provë të pakthyeshme dhe të shërojmë plagën e kumarit dhe të bixhozit. Do propozohet edhe rritja e tatim fitimit për lojërat e fatit. Bastet u shtuan dhe u bënë të kudo ndodhura dhe nuk zbatuan rregullat. Ka kosto për ata që janë të punësuar, por do ketë programe për punësimin e tyre. Prisja që opozita të përshëndeste këtë iniciativë. Paratë e lojërave të fatit kontrollohen nga krimi. Kazinotë do jenë vetëm në resortet me 5 yje”- tha Bushati.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb