Kryeministri Edi rama, njëherazi edhe kryetar i PS-së, ka folur sot lidhur me platformën “deputeti që duam” ku deri më tani ka pasur 108 aplikime nga individë të ndryshëm.

Rama tha se përmes platformës mund të përzgjidhen individë me ambicie që synojnë të kandidojnë për Partinë Socialiste në zgjedhjet parlamentare të 2025-ës.

E duke iu referuar grupit të parë të aplikantëve, Rama tha se avantazhi i tyre i vetëm është që ata kanë aplikuar të parët, pra faktorin kohë, ndërsa procesi do të vijojë.

“Platforma nuk është një instrument që ne e përdorim për herë të parë, por për herë të parë ne e kemi vendosur në qendër të një procesi, që ndryshe nga hera e parë fillon thuajse një vit para zgjedhjeve dhe afro 9 muaj përpara se sa të regjistrohen kandidatët për deputetë.

Ju jeni nga grupi i parë i aplikantëve që jeni këtu, pro që do të zgjerohet me aplikantë të tjerë të cilët duke filluar nga ju, nuk duhet të presin që pasi u bë aplikimi dhe pasi i dhatë në atë aplikim arsyet tuaja, të ndodhë përzgjedhja.

Avantazhi i atyre që vijën më parë, është vetëm koha që kanë më shumë në dispozicion për të treguar se sa janë në gjendje të jenë vlerë e shtuar në skuadrën tonë. S’të bën mosha më e re, s’të bën as fakti që ke dëshirë apo që mund të dish të flasësh bukur, apo as fakti që mund të kesh qenë më parë në rrethin më të gjerë që ka PS. Nuk të bën as lidhja apo lidhjet që mund të kesh me PS.

Të gjitha këto janë krejtësisht pamjaftueshme. Vlerë të shtuar të bën çfarë ti je në gjendje të demonstrosh. Duke treguar se je një kandidat apo kandidate që i duhesh skuadrës së PS. Ta demonstrosh këtë çdo ditë, të tregosh dhe provosh se mbështetesh nga individë, që mund të mos kenë asnjë lidhje me PS-në, por duke të votuar si kandidat/e, do të votojnë edhe alternativën tonë”, tha Rama.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb