SERBI- Marrëveshja e Brukselit është gjëja më e keqe që ka ndodhur me serbët në Kosovë, por marrëdhëniet mes Beogradit dhe Prishtinës tani janë qetësuar, tha deputeti i parlamentit serb, Goran Bogdanoviç. Gjatë një interviste për B92 ai foli edhe për mundësinë e vizitës së ministrit të Punëve të Jashtme të Kosovës, Hashim Thaçit në Beograd, duke thënë se nuk beson se do të arrestohet.

“Unë nuk e di nëse do të vijë. Mua nuk më takon të them nëse do arrestohet apo jo. Ne patëm një situatë të ngjashme kohët e fundit, kur erdhi Tony Blair, por nuk u arrestua. Edhe kësaj here nuk besoj se do të ketë arrestime. Në Marrëveshjen e Brukselit thuhet se zyrtarët mund ta vizitojnë njëri-tjetrin, ndërsa kjo marrëveshje është gjëja më e keqe që u ka ndodhur serbëve në Kosovë”- tha ish ministri serb në qeverinë e Kosovës, Bogadnoviç.

Bogdanoviç ka pohuar se ka presione nga vendet e BE-së që Thaçi ta vizitojë Beogradin.
“Ka presione. Një nga organizatorët e konferencës, Britania e Madhe, po këmbëngul që edhe ministri kosovar të jetë i pranishëm në Beograd. Nëse bashkëpunojmë, ne do t’i kapërcejmë paragjykimet. Qeveria e Serbisë duhet zbatojë ligjet. Kur e kemi nënshkruar një Marrëveshje, duhet t’i qëndrojmë, dhe jo të akuzojmë kundërshtarin”,- tha ndër të tjera Bogdanoviç.

Kujtojmë se diplomati kosovar tashmë ka pranuar ftesën e OJQ-së nga Serbia, “Ambasadorët e Paqes” për të marrë pjesë në një konferencë ndërkombëtare, ku do të jenë të pranishëm edhe disa lider të rajonit dhe Evropës.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb