Deputeti socialist i qarkut të Gjirokastrës, Vladimir Kosta e ka quajtur Ministrin e Ekonomisë, Arben Ahmetaj “një fatkeqësi” për Gjirokastrën dhe “të paaftë”. Këtë deklaratë të fortë ai e ka bërë në faqen e tij zyrtare të facebook-ut, duke shkaktuar një furtunë të vërtetë mes komentuesve, shumë prej tyre përfaqësues dhe anëtarë të PS-së në Gjirokastrës.

“Një fatkeqësi e madhe i ka rënë PS-së në qarkun e Gjirokastrës që koordinator politik ka të paaftin Arben Ahmetaj!”, shkruan Kosta në facebook. Por ky status me sa duket nuk u ka pëlqyer shumë njerëzve të cilët i janë kundërpërgjigjur me të njëjtën monedhë.

“Unë jam e bindur që fatkeqësia më e madhe ishte vendosja e emrit tuaj në listën e kandidatëve për zgjedhjet parlamentare në 2013, ku që prej atëherë krijonit polemika mes kandidatëve dhe shtabeve elektorale… Mos harroni zoti Kosta, ju ishit pjese e kësaj familje, kjo familje ju rriti politikisht dhe fale saj morët një mandat deputeti, por sot falë egos suaj jeni një hajdut me një mandat të pamerituar”, shkruan një prej komentueseve.

Ndërsa një tjetër shkruan “Të gjithë e dinë se për kë punove në fushatën që sapo iku zoti Kosta. Të gjithë e dimë që e fillove me Veliun luftën tënde kundra Gilit e mbarove me të humburin e fundit që të dëgjoi ty dhe votoi kundra Gilit. Të gjithë e dinë që edhe ti si gjithë ata që more më qafë do ndëshkoheni për të keqen e madhe që i sollët qytetit tonë”.

“Jeni deputet dhe ‘duhet të flisni kështu z.Kosta. Ju personalisht duhet të mbani përgjegjësi direkte për çarçavosjen e PS në Përmet. Në dy vjet e shpërndatë mllefin dhe inatin në shumë fronte dhe me shumë socialiste. Kërkojeni tek vetja përpara se ta kërkosh tek të tjerët”, i shkruan një socialist tjetër deputetit Kosta, i cili i përgjigjet duke nxjerrë në dritë një shpërdorim fondesh në fushatën e vitit 2013.

 

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb