TIRANË- Deputetja e PD-së Mimoza Hajdarmataj ka reaguar pasi tre kolegë të saj sot u shprehën kundër kryedemokratit Lulzim Basha dhe bojkotit të zgjedhjeve. Hajdarmataj thotë se deputetët e vërtetë me shumë dinjitet e ndërgjegje janë çdo ditë tek çadra e lirisë, e qytetarëve.

Sipas saj, çdo fjalë e tyre vlen më shumë se çdo fjalim që është mbajtur këto 4 vite në podium, në televizor apo në “Facebook”.

“Deputetët e vërtetë, thjesht pa mandat KQZ-je, por me shumë dinjitet e ndërgjegje, me mençuri por me heshtje, i takojmë çdo ditë tek Sheshi i Lirisë, Çadra e qytetarëve, Çadra Lirisë.

Çdo fjalë e tyre, hall apo vlerësim, këshillë apo pyetje, uratë apo mallkim për këtë qeveri e kryeministër, vlen shumë më shumë se çdo fjalim që ne kemi mbajtur këto katër vite në podium, live në tv apo statuse në fb.

Ballafaqimi për besim dhe mbështetje popullore është sot më shumë se kurrë në peshoren e Lirisë, pikërisht aty, në Çadër, në shesh!!!

Prandaj besoj edhe më shumë (në ditën e 73 por kaq të shumtë në numër e në shpresë) në kauzën për zgjedhje të lira e të ndershme, që të kemi një parlament të lirë dhe qeveri kombëtare e jo klanore.

Më shumë do të bëhemi nesër dhe në vijim. Sheshi i Lirisë, Çadra është vendi i rezistencës dhe i qëndrestarëve të vërtetë. Rrofshin demokratët në shpirt e në vlera, me apo pa kartë anëtarësie, që e duan këtë vend dhe nuk kanë vetëm interesa e ambicie për pushtet. Republika e Re u përket atyre dhe bëhet vetëm me ta.
#NgrihemiBashkë
#ZgjedhjeTeLira

Tre deputetë të PD-së, Majlinda Bregu, Jozefina Topalli dhe Eduard Selami u shprehën sot kundër qëndrimeve të kryedemokratit Lulzim Basha dhe mënyrës se si ai po e drejton partinë. Gjithashtu ata thanë se mosfutja në zgjedhje është dëm i madh për Shqipërinë.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb