TIRANE- Në vijim të përballjeve ndaj aksionit të qeverisë për energjinë elektrike, deputetja e Partisë Demokratike Jorida Tabaku ka denoncuar sot një prej krerëve vendorë që është debitor i energjisë elektrike në shumën e 350 mijë lekëve.

Tabaku tha se “kreu i komunës së Edi Ramës, ka fatura anomalisht të ulëta, deri në 1 mijë e 100 lekë të vjetra në muaj”. “Jemi sot këtu për të denoncuar botën paralele, mes oligarkëve në pushtet dhe qytetarëve të pamundur, që po vuajnë nga faturat abuzive të energjisë, nga kamatëvonesat milionëshe mbi këto fatura, që po vuajnë nga errësira që ka shkaktuar qeveria”, u shpreh deputetja e PD-së.

Ajo tha se nga njëra anë janë vendosur qytetarët që nuk paguajnë dot energjinë dhe janë me qirinj dhe nga ana tjetër kreu socialist i komunës Otllak, megjithëse debitor nuk ja ka prerë kush energjinë.

“Qytetarët që nuk paguajnë dot energjinë, se nuk kanë mese të ushqehen, nuk kanë asnjë të ardhur ekonomike, janë me qirinj sot. Por qeveria nuk i trajton të gjithë njësoj. Ja kemi këtu kryetarin socialist të Komunës Otllak. Eshtë debitor me 350 mijë lekë, energji që e ka shpenzuar por nuk e ka paguar. Një i ri u nda nga jeta dje në Mëzez në një përpjekje të dëshpëruar për të siguruar drita në shtëpi, për familjen e tij në gjendje të mjeruar ekonomike. Kjo familje nuk ka energji se është debitore. Por kryetari i komunës së Edi Rama edhe pse është debitor, ka energji, dhe ai nuk ka asnjë problem as me ligjin, as me OSHEE-në”, tha Tabaku.

Deputetja e PD-së ka paraqitur faturat e kreut të komunës Otllak, që sipas saj kanë një vlerë fare të ulët, në krahasim me faturat abuzive të qytetarëve të pamundur.

“Kemi parë dhe kemi denoncuar këto kohë, fatura abuzive dhjetëra milionëshe ndaj qytetarëve të pamundur që nuk kanë tjetër gjë në shtëpi pos televizorit e llambave ndriçuese. Shihni sa e ka faturën mujore kryetari i komunës së Edi Ramës, oligarku i tij lokal. 1400 lekë në muaj. Ja pra çdo të thotë të jesh i lidhur me pushtetin. Të jesh pjesë e Shqipërisë së oligarkëve”, u shpreh deputetja e PD-së, Jorida Tabaku.

Ajo shtoi se vetëm me protestë, mund të ndalen padrejtësitë që po bën kjo qeveri. “Pabarazia para ligjit, trajtimi i qytetarëve me armiqësi dhe i favorizimi i njerëzve të lidhur me Edi Ramën është një padrejtësi revoltuese. Kjo qeveri nuk le zgjidhje tjetër përpos përballjes me qytetarët. Protesta masive popullore do ta ndalë të keqen”, përfundoi Tabaku.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb