TIRANE – Derbi i 140-të i kryeqytetit, i zhvilluar më 8 dhjetor ka dhuruar një spektakël të denjë, duke dalë jashtë çdolloj pritshmërie. Këtë takim e kanë ndjekur shumë personazhe të ndryshëm të politikës, artit dhe televizionit. Pjesë e kësaj kategorie ka qenë edhe moderatorja e emisionit “Procesi Sportiv”, Marina Vjollca, e cila e ka ndjekur derbin pranë dashamirësve të Partizanit. Por, disa orë më vonë, në emisionin që ajo drejton, mes të ftuarve ka pasur edhe mbrojtësin e Partizanit, Ardian Cuculi, i cili në verë u transferua nga Shkëndija e Tetovës te “demat e kuq”.

27-vjeçari nga Kërçova po shkëlqen jo vetëm në fushën e blertë me fanellën e kuqe, por edhe në studiot televizive dhe më gjerë. Mbrojtësi i të kuqve ka postuar dje në profilin e tij në “Facebook” dhe në “Instagram” një foto me moderatoren Marina Vjollca, ku të dy personazhet bëjnë komente yjesh. Pra, kjo foto e ndez akoma më shumë atmosferën e të kuqve pas fitores së derbit me Tiranën. Komenti i Ardian Cuculit në foton e publikuar me prezantuesen ishte: “Me yllin që ecën në tokë”. Ndërsa kundërpërgjigjja e Marinës për komentin e Cuculit ishte: “Ti je ylli i fushës”. Pas publikimit të fotos, nuk kanë munguar komplimentet, batutat dhe thumbimet ndaj shqiptarit nga Maqedonia. Mbrojtësi i Partizanit ka qenë i ftuar edhe më parë në këtë emision sportiv, sikundër edhe në disa studio të tjera. Një gjë duhet pranuar se Cuculi është një nga lojtarët më të mirë të Partizanit në fushën e lojës. Por, me inteligjencën dhe me paraqitjen fizike, ka bërë që edhe femrat të tërhiqen prej tij.

Moderatorja Vjollca njihet si dashamirëse e Vllaznisë, por të hënën ajo e ka ndjekur derbin në sektorin e tifozëve të Partizanit, ku ka shikuar fitoren e “demave” dhe “yjeve” në fushën e amortizuar të stadiumit “Qemal Stafa”. Pas ndeshjes, kur Cuculi po jepte një intervistë televizive, një grup tifozësh janë bërë pjesë e transmetimit duke kënduar këngë të tyre. Por më pas ata kanë kënduar edhe një refren tjetër që ka lidhje me Marinën: “Cuculi zemra jonë, Marina ty të don…”.

(er.nu/panoramasport/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb