Nga: JETON SELIMI *
Tirana-Partizani mund të luhet në “Qemal Stafa”, në një ditë që mbetet për t’u përcaktuar, por që sipas të gjitha gjasave, do të jetë 12 marsi i propozuar nga bardheblutë. Tashmë, mozaikut të aktorëve që u përfshinë direkt në këtë debat, iu shtuan dhe “Ultras Guerris”, ultrasët e Partizanit, që të befasuar nga numri i ulët i biletave, nuk kanë dashur të privojnë tifozërinë e tyre nga prania në një derbi. Në fakt, në mesditën e djeshme, Federata Shqiptare e Futbollit, pranoi kërkesën e Tiranës, e cila e dëshpëruar për të gjetur një fushë pas refuzimit të parë të Partizanit, nxitoi për ta çuar përballjen derbi në Peqin, stadiumi i të cilit është tejet modest dhe i amortizuar për përmasat e kësaj ndeshjeje. Në stadium mund të shkojnë deri në 1500 tifozë, por policia nuk merr përsipër pjesën përballë të stadiumit dhe shtesat krah tribunës, ndaj, në total do të shiteshhin vetëm 400 bileta. Nga këto 400 bileta, Partizani do të merrte vetëm 20 të tilla dhe kuptohet, që do të asistonim në derbin më qesharak (në përmasa) të historisë së futbollit shqiptar.
Më herët, kishte pasur shumë trysni nga tifozëria e Tiranës. Bardheblutë ishin përgatitur për këtë ndeshje si kurrë më parë dhe u dështonte koreografia e posaçme. Por, pavarësisht dëshirës së tifozëve të tyre, Tirana ishte e pafuqishme për t’iu kundërvënë vullnetit të Partizanit. Të kuqtë, në fillim pranuan verbalisht, por mohuan me një shkresë zyrtare dëshirën për të shtyrë ndeshjen për më 12 mars. Pas kësaj nisi një debat në distancë mes zyrave të shtypit të të dy klubeve si dhe të tifozëve respektivë, që ndezën rrjetet sociale.
Zyrtarizimi i zhvendosjes së ditës së ndeshjes pritet që të bëhet në paraditen e sotme, pasi zërat e djeshëm flisnin për një kompromis të mundshëm mes palëve. Gjërat mund të kishin marrë rrjedhën e duhur edhe më shpejt, por presidenti i të kuqve kishte udhëtuar drejt Turqisë. Nga ana tjetër, edhe anëtarë të Federatës Shqiptare të Futbollit, janë angazhuar personalisht për të afruar dy klubet në një pikë të përbashkët.
E vërteta është se amullia e këtyre ditëve nuk i shërben askujt. Derbi i takon kryeqytetit dhe në të shkuarën kemi asistuar në dy derbi Partizani-Dinamo të luajtura në Kavajë dhe Lushnjë për probleme të ndryshme me stadiumin. Por, sidomos në këtë sezon, me luftën sportive (e jo vetëm) që po rritet, edhe interesi për kampionatin është zgjuar edhe më shumë, pasi dy klubet e kryeqytetit, për herë të parë pas kaq vitesh, janë në luftë po ashtu për titullin kampion.

(d.d/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: