Shqipëri-Francë ishte ndeshje perfekte, momenti perfekt, për të inauguruar stadiumin e ri kombëtar. Organizatorët nxituan jo për të vënë në jetë këtë skenar, pavarësisht se stadiumi i ri, mbi të gjitha tapeti nuk ishte ende gati. Jo të gjithë kishin mundësi të ndiqnin live këtë sfidë, ku sigurisht interesimi më i madh ishte për të parë stadiumin e ri, vetëm 22 mijë nga 100 mijë tifozë e patën këtë fat.

Të gjithë ata që duan të shohin stadiumin e ri, mund ta kenë shumë shpejt këtë mundësi, që në derbin e radhës, Partizani-Tirana. “Arena Kombëtare” nuk do të jetë në dispozicion vetëm të ekipit përfaqësues por do të jetë në funksion edhe të Superligës. 3 nga 10 klube kanë shfaqur menjëherë interesimin për të zhvilluar ndeshjet në impiantin më të ri në kryeqytet, Partizani, Tirana dhe Kukësi.

Klubi i kuq është ekipi që ka hedhur hapat e parë, duke kërkuar që ndeshja Partizani-Laçi, në program për tu zhvilluar këtë të hënë, të luhej në stadiumin e ri, kërkesë e cila është hedhur poshtë duke parë gjendjen jo të mirë të fushës. Sipas të gjithë gjasave, ndeshja pasuese në këtë impiant pritet të jetë Partizani-Tirana, derbi i tretë sezonal, në program për tu zhvilluar më 5 dhjetor, pasi klubi i kuq ka depozituar një kërkesë zyrtare në FSHF.

Çdo skuadër që dëshiron të zhvillojë një ndeshje në stadiumin e ri duhet ta paguaj fillimisht afro 5 milion lekë të vjetër, një shumë mese e përballueshme për çdo ekip, aq më tepër kur bëhet fjalë për një derbi ku fitimet janë shumë të mëdha për klubin organizator.
(BalkanWeb)
qe ta shkaterrojne sic hedhin gjithe mbeturinat sa here ka ndeshje