Ardian Mema është gati të arrijë fitoren e parë në derbi. Trajneri i bardhebluve po shijon momentin e mirë të të tijve dhe ndonëse pranon se një ndeshje e tillë si ajo ndaj Partizanit i ka të pranueshme të trija rezultatet, ai beson se me tifozërinë bardheblu në krah, Tirana do të jetë në gjendje që të thyejë mallkimin 5-vjeçar ndaj rivalëve të kuq, ndonëse pranon se favorit shikon Partizanin, për vetë faktin se skuadra e Memës është në krye të kampionatit.

Si mund ta thyej Tirana mallkimin 5 vjeçar në derbi?

“Ndeshjet derbi kanë specifikën e tyre. Është fakt që Tirana nuk fiton prej pesë vitesh me Partizanin, ndoshta mund të ketë ardhur dita për ta thyer. Ky është futbolli dhe i pranon të 3 rezultatet. Jemi përgatitur për këtë ndeshje dhe do jetë ndeshje shumë e fortë. Në fund do fitojë ekipi që gabon më pak. Mund të bëjnë diferencën edhe individët gjatë lojës. Shpresojmë të bëjmë sa më pak gabime. Këtë kemi biseduar gjatë javës.

Ekipi është në një moment të mirë dhe kjo i bën mirë ekipit për nesër. Jam munduar ta mbaj ekipin larg presionit skuadrën, që derbi ta sjell gjithsesi. E nesërmja do tregojë gjithçka. Nuk kemi pasur asnjë lloj problemi. Kemi punuar të qetë dhe po e presim të qetë derbin. E kam thënë vazhdimisht që Tirana duhet t’i marrë ndeshjet një e nga një. Kuptohet që derbi ka specifikën e vet, por Tiranës më së shumti i duhen pikët se sa presioni”.

Mendoni se mund t’i bëni dhuratë Kukësit në këtë përballje?

E kam thënë pas ndeshjes me ta, që ndoshta mund tu bëjmë një dhuratë Kukësit, sikurse ia bëmë Partizanit. Ne kemi hallet tona, le të themi. Duhet ta shohim ndeshjen për pikët, që i kemi shumë të nevojshme. Kjo është ajo që do na udhëheqë ne, jo se kujt po i bëjmë nder.

Kë skuadër shikoni favorite në derbi?

Po të nisesh nga renditja është Partizani favorit. Por favorit do jetë ai ekip që thashë më sipër: ai që do gabojë më pak dhe do të jetë më i përqendruar. Unë gjithë kohën kam punuar me skuadrën dhe t’ia lëmë fushës se kush do të jetë favoriti. Sa i takon klasifikimit, dihet. Ata janë në vend të parë dhe me meritë janë aty ku janë.

Si do ta ndërtojë Mema këtë derbi?

Kur përgatit një ndeshje, e para, ke fizionominë tënde si ekip. Pastaj do bësh dhe përshtatje, për të bërë lëvizjet dhe manovrat e duhura. Shpesherë na ndodh që ne e përgatisim ekipin në varësi të kundërshtarëve, për t’iu përgjigjur pikave të forta dhe avantazheve dhe disavantazheve që ka loja.

Do ketë ndryshime në formacion?

Nuk do të ketë ndryshime. Pak a shumë do të jetë i njëjti formacion që do të zbresë në fushë. Në vetvete jam ai lloj trajneri që fus në lojë lojtarët që janë më në formë dhe që janë përshtatur më së miri me grupin. Kështu, ndeshjen e nesërme do të jetë pak a shumë i njëjti formacion.

Në qoftë se do të jepnit një % mes fitores dhe humbjes, cila është përqindja që do t’i jepnit kësaj ndeshjeje?

Tani janë mbyllur edhe bastet! Të them të drejtën shpeshherë dhe kur kam qenë futbollist, nuk kisha dëshirë të jepja deklarata, pasi nuk fitohet kurrë me deklarata dhe parashikime. Ndeshja do të jetë ajo që do ta tregojë se nga do të anojë fitorja ose barazimi.

Cili është avantazhi i Tiranës kundrejt Partizanit?

Mendoj që grupi do të jetë forca jonë nesër.

Cili është vlerësimi juaj për Asanin, Bardhin dhe Malën?

I kam parë dhe ndeshjen e fundit me Flamurtarin isha në stadium dhe realisht janë lojtarë shumë të mirë. Çdo ekip do të kishte dëshirë t’i kishte ato lojtarë. Gjithsesi, edhe ne kemi lojtarë shumë të mirë në rolet ku luajnë ato që po përmendim. Duelet janë ato që e fitojnë ndeshjet. Ndeshjen e fundit më kujtohet mirë që nuk është se Partizani fitoi shumë duele, por ne bëmë 2-3 gabime, që sollën fitoren e Partizanit.

Tifozët…

Tifozët e Tiranës do të jenë përkrahës të ekipit dhe nuk kanë pse merren me kundërshtarët. Gjithashtu dhe tifozët kundërshtarë nuk kanë pse merren me tifozët tanë. Do të jetë një ndeshje “fair-play” edhe për tifozeritë, pavarësisht historisë, ne jemi skuadra të të njëjtit qytet. Lojtarët do të jenë ato që do të gëzojnë tifozeritë përkatëse. Shpresoj që lojtarët tanë t’i gëzojnë tifozët.

Në ndryshim nga derbi i fundit, i keni marrë masat nëse shënoni të parët?

Bëmë gabime në ndeshjen e kaluar dhe e pësuam. Janë korrigjuar disi dhe ekipi nuk po bën aq gabime sa ka bërë në fillim. Jemi më të qetë dhe lojtarët janë më të përqendruar dhe i kanë minimizuar gabimet. Kjo na ka dhënë krahë dhe na ka bërë të fitojmë ndeshjet e forta.

Grent Halili, autori i golit të fundit është në stol…

Lojtarët që janë më në formë do të jenë të gatshëm, qoftë me Partizanin, qoftë me ekip më të dobët. Ky është standardi im dhe nuk e shkel. Çdo lojtar që do të jetë i gatshëm për të luajtur, ai do aktivizohet. Është bërë e ditur dhe nga ana ime te lojtarët. Ato lojtarë që do të punojnë fort dhe do jenë seriozë do luajnë. Jo se Grent Halili nuk ka qenë pjesë e kësaj, pasi ai është një lojtar shumë i edukuar dhe punon, si dhe ka dhe një karakter sportiv të mirë.

Presioni i tifozëve për derbet e humbura…

Mendoj që tifozeria e Tiranës ka fituar kundrejt tifozerisë së Partizanit, por ndeshja në fushë ka dalë keq. Shpresoj mos t’i zhgënjejmë tifozët dhe të kemi rezultat pozitiv.

I druheni gjykimit nesër?

Të them të drejtën, nëse do më ndodhte mua ajo që i ndodhi Flamurtarit, do të isha më agresiv se Daja. Shpresoj mos të ketë probleme dhe nuk besoj se do të ketë. Arbitri është i UEFA-s. Problematika do të jetë te futbollistët, jo tek arbitri.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb