4 gola, emocione, por në fund derbin e Londrës me Arsenal e Crystal Palace e fiton… Liverpool. Barazimi 2-2 në “Fly Emirates” mes “topçinjve” dhe skuadrës së Palace bën tashmë që skuadra kryesuese e drejtuar nga Arnse Slot të jetë vetëm 1 pikë larg nga kurorëzimi si kampion në Premier League, e diçka të tillë mund ta bëjë realitet që këtë të dielë kur në “Anfield” ata presin Tottenham.
Ndaj Crystal Palace të besuarit e Mikel Artetës e nisën sfidën më mirë, teksa gjetën golin me polakun Kiwior që në minutën e 3, duke zhbolluar shifrat pas një goditje me kokë. Reagimi i miqve ishte i shpejtë teksa në minutën e 27 një skemë pas ekzekutimit të një goditje këndi, finalizohet me ekzekutimin perfekt fluturimthi të Eze në hyrje të zonës, që rivendos kështu barazpeshën.
Megjithatë “topçinjtë” do të riktheheshin në avantazh 3 minuta nga fundi i pjesës së parë me sulmuesin belg Trossard që lëviz mirë brenda zonës e me një të majtë e çon topin në cepin e portës.
Në fraksionin e dytë skuadra e Arsenal u mundua të administronte rezultatin, “topçinjtë” madje realizuan edhe golin e 3 me Martinellin por që u anulua më pas nga VAR. Megjithatë atëherë kur u mendua se fitorja po u buzëqeshte vendasve një top i humbur në gjysmëfushën e tyre bëri që Mateta me një parabol të gjente golin e barazimit 2-2, duke përfituar edhe nga pozicionimi jo i duhur i portierit Raya.
Përfundimisht sfida mbyllet në barazim 2-2, me Arsenal që 4 javë nga fundi ndodhet në vendin e dytë me 67 pikë, duke konsoliduar praktikisht këtë vend kur jemi në fundin e sezonit.