Për shkencëtarët, nisja e një rakete për të furnizuar Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës është një mision rutinë. Por për një grup nxënësish që punojnë në Adler Planetarium në Çikago, është një moment historik që shënon një arritje të madhe në jetë. Korrespondenti i i Zërit të Amerikës, Kane Farabaugh njofton nga Çikago.


Nxënësja 19-vjeçare Fatima Guerra e pranon se ajo është tepër e dhënë pas gjërave që lidhen me hapësirën.
Ajo po trajnohet për t’u bërë astronome, dhe që nga fillimi i studimeve në shkollën e mesme ajo ka qenë pjesë e një projekti të vogël me objektiva të mëdha në Planetariumin Adler.


“Qëllimi ynë kryesor ishte të shohim se me çfarë ritmi po hollohet shtresa e ozonit, dhe nëse trashësia e atmosferës në pjesë të ndryshme të Tokës po zvogëllohet për shkak të ndotjes dhe çlirimit të gazrave serrë”.


Një pajisje e vogël elektronike e quajtur “ThinSat” mbledh të dhënat për të hedhur dritë mbi këto pyetje. E projektuar për të lëvizur në orbitën e tokës, pajisja nuk u zhvillua nga inxhinierë të paguar mirë, por nga nxënës të zonës së Çikagos, si Guerra.

“Ne u përqendruam në programimin e pjesëve të ndryshme të sensorëve të pajisjes ThinSat, në mënyrë që ajo të masë intensitetin e dritës dhe presionin”.
Jesus Garcia është inxhinier i sistemeve në Projektin e Planetariumit Adler, “Far Horizons”, dhe mbikëqyr punën e nxënësve me pajisjen “ThinSat”.

“Shumë nga nxënësit që fitojnë këto mundësi zakonisht nuk vijnë nga familje të varfra ose pakicat. Por, këtu në Adler ne kemi nxënës nga pakicat, të cilët nuk kishin mundësi të këtij lloji dhe këtu ne po u ofrojmë atyre një mundësi për të bashkëpunuar me ne shkencëtarët dhe inxhinierët në misionin tonë të parë në hapësirë”.

Kur raketa Antares e NASA-s, e prodhuar nga kompania Northrup Grumann, u nis nga brigjet i Virxhinias më 17 prill, misioni i saj nuk ishte vetëm dërgimi i furnizimeve në Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës.

Në bordin e saj ishte edhe pajisja “ThinSat”, kulmi i punës së shumë njerëzve në Adler, përfshirë Fatima Guerra-n, të cilët u bashkuan me ekipin e projektit “Far Horizons”, si pjesë e një detyre të caktuar nga shkolla e tyre e mesme.
“Një detyrë mund të bëhet një mundësi që të ndryshon jetën. Është shumë inkurajuese të shohë që puna ime ka udhëtuar në hapësirë dhe do të ndihmojë botën shkencore”.

Kjo është gjithashtu inkurajuese për prindërit e saj, emigrantë nga Guatemala, të cilët me krenari mund të thonë se vajza e tyre ndihmoi në ndërtimin e një sateliti që po lëvizë në orbitën e Tokës.
“U thashë atyre se kjo mund të bëhet si një titull lajmi me famë botërore, dhe unë do të jem pjesë e tij, dhe ata ishin me të vërtetë krenarë.”

Shumë kohë pas mbarimit të punës së pajisjes ThinSat, Guerro do të vazhdojë të njihet si anëtare e një ekipi që dërgoi satelitin e parë të krijuar nga një planetarium privat në hapësirë.