*Dosja e shërbimeve të fshehtë: Italia nuk ka qenë kurrë kaq në rrezik
-Përgjohen telefonatat e militantëve të ISIS: në rast të një ndërhyrjeje të armatosur në Libi, janë gati qindra varka e gomone. Plani konfirmohet edhe nga rritja e numrit të vjedhjeve të varkave dhe skafëve në Tunizi dhe Egjipt. Dhe skafistët tani vijnë me kallashnikovë.

Përdorimi i emigrantëve si “armë psikologjike” kundër vendeve që thonë se duan të ndërhyjnë në Libi, e sidomos ndaj Italisë, skruajne mediat italiane, citon Bota.al. Eshtë ky kërcënimi i fundit për të cilin kanë folur militantët e ISIS në disa telefonata të përgjuara. Sipas asaj që u është referuar aparateve italianë të sigurisë, në bashkëbisedimin që konsiderohet i besueshëm, xhihadistët hedhin hipotezën që të lënë të shkojnë drejt brigjeve të Italisë me qindra varka të mbushura me emigrantë, sapo Italia të bjerë dakord për një ndërhyrje të armatosur në Libi.

Shifra që flitet është pesëqind mijë, ose pjesa më e madhe e atyre 700 mijëve që tashmë janë vendosur në brigje në pritje për t’u nisur. Dhe objektivi do të ishte ai i krijimit të një tragjedie të re: të vdekur në det dhe kapiteneritë pa forcën për t’i shpëtuar. Një impakt shkatërrimtar mbi opinionin publik të vendit – që konsiderohet hallka e dobët e “frontit perëndimor” – që në fund do të kushtëzonte zgjedhjet politike të qeverisë, më shumë se sa kërcënimet për luftë ndaj Italisë.

Përgjimi konsiderohet i besueshëm për disa arsye. Pikësëpari për shkak të konfirmimeve që kanë ardhur edhe nga shërbimet e fshehtë të vendeve të tjerë, si dhe për një koincidencë e cila duket se vlen më shumë se një mijë analiza: ditët e fundit, ndërkohë që trupat e grupeve që janë vetëshpallur pranë ISIS përparonin, nga portet e Tunizisë, Egjiptit dhe Algjerisë janë zhdukur peshkarexha dhe anije në shifra të mëdha. Rruga nga Libia padyshim është e para që duhet monitoruar, sepse prej këtu kalojnë praktikisht të gjithë emigrantët nënsaharianë, ndërkohë që Italia duhet të jetë vërtetë e shqetësuar për atë që ndodh apo do të ndodhë në brigjet e Sicilisë.

Trafikantët
Kërcënimi i rregjistruar me objektiv Italinë nuk mjafton për të thënë që ISIS ka një rol të dorës së parë në trafikun e emigrantëve. Për momentin, shpjegon një burim nga shërbimet e fshehtë “nuk është kanali i tyre kryesor i financimit, vetëm pak trafikantë i përmendin dhe u kalojnë një pjesë të të ardhurave për mbrojtje”. Ndonëse kuadri mund të ndryshojë me shpejtësi. Në Libi, koalicionet kryesorë janë dy. Nga një anë besnikët e qeverisë së Tobruk, në Lindje dhe të mbështetur nga Egjipti. Nga ana tjetër koalicioni “Agimi” që kontrollon thuajse të gjithë qytetin e Tripolit dhe MIsuratës, mbështetur nga vëllazëria myslimane.
Rrezik rrëmbimesh
Tensioni rritet edhe për shkak të episodeve si ai i dy ditëve më parë: të shtënat e kallashnikovit kundër një motovedete të Rojes Bregdetare. Një veprim armiqësor që të bën të mendosh për skenarë shqetësues. Që duhen shmangur absolutisht. Në momentin kur evakuohen me shpejtësi italianët e pranishëm në Libi për arsye sigurie, natyrisht që nuk mund të dërgohen ushtarakë pak milje larg Tripolit. Sepse është shumë i lartë rreziku i rrëmbimeve.

Dosja e shërbimeve të fshehtë: Italia nuk ka qenë kurrë kaq në rrezik
Italisë i duhet t’u bëjë ballë dy fronteve shumë të nxehtë. Nga njëra anë emergjenca e imigrantëve, nga ana tjetër përparimi i miltantëve të ISIS deri në brigjet e Libisë.
Ndërkohë që Kryeministri Matteo Renzi merr kohë, në pritje që të miratohen rregullat e angazhimit të OKB-së, situata rrezikon të bëhet shpërthyese.
Në një dosje të fshehtë, e publikuar dje në Corriere della Sera, shërbimet e fshehtë italianë e pranojnë që “vendi ynë nuk ka qenë kurrë kaq në rrezik”.

Zbarkimet dhe xhihadi janë pjesë e planit të kalifit Abu Bakr al Baghdadi për të asgjësuar Perëndimin. Sepse pikërisht përmes dhjetëra mijëra të dëshpëruarve, që cdo ditë sfidojnë Mesdheun për të arritur në Itali, Shteti Islamik synon të infiltrojë xhihadistë gjakatarë në të gjithë Europën. Gjatë 2014-ës kanë zbarkuar më shumë se 180 mijë klandestinë. Dhe 2015-a rrezikon të jetë një vit edhe më i keq. “Vlerësimet e fundit flasin për 600 mijë të huaj të pranishëm në Libi, 200 mijë janë sistemuar tashmë në pesë kampe grumbullimi dhe gati për t’u nisur – thuhet në Corriere della Sera – por flitet mbi të gjitha për 7 mijë luftëtarë të Ansar Al Sharias që i janë përgjigjur apelit të Kalifit dhe po marshojnë për të pushtuar vendin”. Këtyre mund t’u shtohen edhe fondamentalistë të tjerë që aderojnë në celula dhe që duan triumfin e Islamit në Perëndim.

Sic shpjegojnë shërbimet e fshehtë në dosjen sekrete, pesë kampet e refugjatëve gjenden në portin e Zvaras, Sabratas, Janzurit, Tripolit dhe Garabullit. Këtu, trafikantët e njerëzve po grumbullojnë të gjithë të dëshpëruarit e Afrikës së Veriut në pritje për t’i nisur me gomone dhe anije drejt Italisë. Shërbimet e fshehtë europianë druhen se “një luftë civile mund të shkaktojë rritje të numrit të atyre që duan të largohen duke u bërë kështu pre e militantëve që fitojnë miliona dallorë përmes trafikut”.
Situata në Detin Mesdhe është që tani shpërthyese. Dje, ndërkohë që Roja Bregdetare italiane po ndërhynte për të shpëtuar 12 varka me 2100 imigrantë, disa skafistë nxorrën kallashnikovët dhe ua drejtuan ushtarakëve italianë, duke i detyruar të lënë varkat dhe të largohen.

Për të ndalur zbarkimet dhe parandaluar sulmet qeveria Renzi po i bën presion OKB-së për një ndërhyrje ushtarake. Koha nuk premton por “mungon mbulimi juridik ndërkombëtar për dërgimin e 20 mijë ushtarëve”. Aq sa në tryezë është edhe një propozim për një ndërhyrje në kuadrin e NATO-s. “Relacionet e 007-ave italianë – thotë CdS – vënë theksin në rrezikun e atentateve kundër vendburimeve të naftës dhe gazit, selive të kompanive që janë të detyruara të mbajnë personelin në vend për të bërë të funksionojnë impiantet”. Mes kompanive më në rrezik janë Eni dhe Finmeccanica.

(d.b/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: