Nëna e 22-vjeçares Joy Ayoko ka folur për gazetarin Igli Çelmeta mëngjesin e sotëm, teksa i ka dhënë lajmin për vdekjen e vajzës së saj, e cila në muajin gusht u dhunua barbarisht në Tiranë dhe përfundoi në koma.
Ruth Abongo ka deklaruar se do të kërkojë drejtësi deri në momentin e fundit për vajzën e saj.
“Do bëj të pamundurën që të vendoset drejtësi për vajzën time. Nëse kjo drejtësi do të marrë frymën time të fundit për të vendosur drejtësi për Joyn, atëherë jam gati”, ka thënë ajo.
Më 13 gusht të vitit të kaluar, 22-vjeçarja Joy u dhunua dhe u hodh nga kati i dytë i banesës ky jetonte me qira në rrugën “Pandeli Evangjeli” në kryeqytet. Edhe pse ngjarja kishte ndodhur më 13 gusht, njoftimi i parë nga policia e Tiranës u bë vetëm pas 3 muajsh, më datë 9 nëntor.
Policia deklaroi se në përfundim të veprimeve të para hetimore për këtë rast janë referuar materialet në Prokurorinë e Tiranës, e cila ka regjistruar procedimin penal, për veprën penale “Plagosja e rëndë me dashje”.
Prokuroria ka marrë akt-ekspertimin mjeko-ligjor për 22-vjeçaren, në bazë të cilit është referuar edhe vepra penale “Plagosja e rëndë me dashje”, pasi rezulton se e reja është dhunuar. Hetuesit kanë marrë në pyetje personat e afërt dhe bashkëkombëset e 22-vjeçares nga Kenia që jetojnë e punojnë në Shqipëri, po ashtu janë marrë në pyetje edhe kontaktet e fundit të saj.
Janë pyetur edhe banorë të zonës ku ndodhej banesa dhe fqinjët e 22-vjeçares. Dyshohet ditën kur ndodhi ngjarja brenda në banesën ku Joy jetonte me qira, kanë qenë edhe persona të tjerë. Për këtë janë mbledhur edhe prova shkencore, si gjurmë, shenja gishtash, dhe kampionë biologjikë për të zbuluar se cilët janë personat që ishin në banesën e 22-vjeçares natën kur ndodhi ngjarja dhe çfarë i lidh ata me vajzën nga Kenia, e cila punonte në një kazino në Tiranë. Gjithashtu është këqyrur telefoni i 22-vjeçares dhe bisedat e saj të fundit.
Edhe pse kanë kaluar mbi 5 muaj nga krimi dhe prokuroria është duke hetuar, nuk ka asnjë person të ndaluar dhe të dyshuar për ngjarjen.