TIRANË- Ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti ka qenë sot në studion e opinion në Neës24 ku ka folur për situatën aktuale të bagëtive të prekura nga dermatoza nodulare, që mbetet ende një sfidë për autoritetet shqiptare.

Megjithatë ministri Panariti ka qetësuar popullatën duke theksuar se në Shqipëri nuk është situatë emergjence. Ai foli për një problematikë të dalë nga terreni, mosbindjen e fermerëve për vaksinimin e bagëtive si dhe mbajtjen në kushte të këqija si ushqimore ashtu edhe higjieno-sanitare të kafshëve.

“Rastet e shpërthimit të infeksionit nuk kanë të bëjnë vetëm me vaksinën por është një kompleks faktorësh. Ne kemi patur vështirësi edhe për t’i bindur fermerët për t’i vaksinuar kafshët para se të sëmuren se po u sëmurën është e kotë. Ambienti i ndotur e bën kafshën më pak imune. Një kafshë e kequshqyer që mbahet në kushte të mjerueshme, me bajga, insekte etj. sigurisht është e ekspozuar ndaj infeksioneve. Unë në krye të një ekipi të ministrisë së bujqësisë, kemi krijuar një ekip që rri non stop në Lushnjë dhe në Elbasan.  Aty po përqendrohemi fillimisht me trajtimin me antibiotikë të kafshëve të prekura për të shmangur infeksionet dytësore dhe me preparate për ulje të temperaturës sepse në 42 gradë kafsha ngordh. Ne jemi përqendruar në trajtimin e vatrave ku kemi infeksion. Sigurisht po avancojmë edhe me vaksinimet në kafshët e shëndosha”, tha Panariti.

Ministri theksoi se Shqipëria ka qenë në radhë, për marrjen e vaksinave pasi është vetëm një qendër në Afrikën e Jugut dhe se vaksinat e tjera vijnë javën e ardhshme.

“Jemi në radhë me vendet e tjera sepse ka vetëm një qendër në Afrikën e Jugut, ku prodhohet. Unë mora garanci që javës tjetër do vijnë dozat e mjaftueshme.
Ne kemi kryer aktualisht 250 mijë vaksinime. Mbeten edhe 100 e ca mijë krerë. Është një sfidë e hapur edhe në vitet në vijim. Izraeli ka 5 vite që është prekur nga kjo sëmundje.
Ne duhet të ruajmë qetësinë dhe duhet që fermerët të na binden. Pavarësisht se kafsha mund të duket e shëndoshë ne duhet të kryejmë fushatën profilaktike. Kërkojmë të ulim mortalitetin e kafshëve. Nga 30% që është mundësia t’i mbajmë në këmbë, pa mjekim bie në 2-3%. Insektet janë transmetues të viruseve”, tha Panariti.

Ministri i Bujqësisë ka bërë edhe një apel për të gjithë qytetarët, se mishi apo produktet e tjera nga bagëtitë e prekura nga dermatoza nodulare nuk kanë rrezik për konsumim.

“Dua të bëj edhe një apel publik: Nuk ka asnjë lloj rreziku nga konsumi i qumështit apo mishit. Nuk bëhet fjalë për kafshët e ngordhura. Por një kafshë që është e prekur nga dermatoza dhe është në prodhim dhe vendoset të pritet nuk paraqet asnjë rrezik sepse nuk prek njeriun”, theksoi Panariti.

Nga ana tjetër Panariti bëri dhe një bilanc të dëmeve të shkaktuara nga ky infeksion, ndërsa theksoi se në total numri i të gjedhëve të ngordhura është 900. Sakaq, ai theksoi se të gjitha dëmet e shkaktuara do të rimbursohen nga qeveria, por jo në vlerë monetare, por në kafshë të humbura.

“Në total ka 900 krerë të vetëtuar si të ngordhura në rang vendi. Infeksioni është ende në këmbë. Të gjitha do të kompensohen, pasi e kemi marrë këtë angazhim. Ne nuk do bëjmë dëmshpërblim me para në dorë. Ne do të blejmë kafshë të shëndosha, të vaksinuara dhe të matriokuluara, në raport me specifikat e rajonit Ka nisur procesi dhe po bëjmë regjistrimin e kafshëve. Duhet t’i blejmë rraca kafshës që t’i përshtaten zonës. Në fillim të dhjetorit do vijë një ekip i specializuar zviceran për të parë situatën nga afër. Sëmundje janë situata që mund ta hedhin në tokë blegtorinë.”, pohoi ministri.

Ndërkohë, Panariti bëri të ditur se po punohet për alokimin e një fondi, i cili do të jetë për të përballuar të tilla emergjenca. “Unë insistojë dhe po punohet për të alokuar një fond ose si pjesë e emergjencave, ose si shtesë në buxhet për të mbajtur situatën në kontroll për të ardhmen për kafshët. Do jemi non stop pranë fermerëve. Ky infeksion ka prekur gjithë Europën dhe jo vetëm Shqipërinë dhe është problem.”, përfundoi Panariti.
(m.k/ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb