NGA OSMAN STAFA*

Ligji i derrave tek “Ferma e Kafshëve” të George Orwell, thoshte pak a shumë: “Të gjitha kafshët janë të barabarta, por derrat janë më të barabartë.”

Orwell shpjegon më pas edhe sagën e ngritjes së tyre “derrçe”, në pushtet. Si mbarështohen, si forcohen, si marrin pushtet, si nxjerrin luks nga balta ku jetojnë. Në fillim derrat zhvillojnë një luftë për pushtet e për të qenë mbretër të xhunglës. Ka vrasje, ka mashtrime, ka korrupsion, ka gënjeshtra, ka manipulime e tirani. Derrat erdhën në pushtet nga kafshët e tjera, më qëllim që të qeveriseshin në mënyrë të drejtë dhe të ishin të lira. Derrat nga ana e tyre kërcënuan, poshtëruan, mbytën të gjitha kafshët që dolën kundër tyre, vetëm e vetëm për të qenë të pushtetshëm dhe të plotfuqishëm. Madje, ushqimin më të mirë e hanin ata, vendet më të mira për të fjetur, për të pushuar i kishin derrat. Nryshuan ligjet dhe ata nën pushtet u bënë të pandalshëm, duke mospërfillur asgjë dhe askënd. Një patë apo një pulë hanë një fije bari në fushë dhe derrat e dënojnë me vdekje! Ndërsa ata vetë hanë fshehurazi mollë e qumësht, e për këtë sërish bëjnë fajtorë të tjerë.

Nuk e di, por më duket se Orwell e ka shkruar fiks për “Fermën” tonë, veprën e tij. Po fiks, fiksssss… Fermë shqiptare.
Edhe “derrat” tanë janë të privilegjuar, jetojnë në një vend të varfër, por që varfërinë nuk e ndjejnë kurrë. Jetojnë mes papunësisë, por që të papunë nuk kanë qenë ndonjëherë. Jetojnë në një vend ku familjarë të shumtë janë pa shtëpi, pa të ardhura, pa të ardhme, ndërsa ata numërojnë shtëpinë e dytë e të tretë, e luftojnë “derrçe” për të siguruar deri në 4 breza të ardhmen.

Herë si ministër, herë si deputetë, herë në maxhorancë e herë në opozitë, herë në media e herë në prokurori, herë në gjykatë e herë në institucione, derrat tanë po e shijojnë “derrllëkun” që vjen nga pushteti.

Ata mbjellin frikë për fjalën, frikë për veprimin, ata nxisin mpirjen, pafuqinë, bllokimin. Ata vendosin mure me ne, pastaj i lartësojnë këto mure, që gradualisht t’i shohim ata si Zotër. Imagjino Derrin… të bëhet Zot! Nëse derrat preken, ata shndërrohen në qenie kuçedriale, kthehen në komunizëm, e presin çdo fije liberalizmi e të drejte themelore. Nëse ti kërkon punë, arsim, të drejta, shpërblim për djersën… ose linçohesh, ose mbetesh vetëm. Miqtë ikin prej teje, se kanë frikë nga ndëshkimi i derrave. Ndaj ti, ose bën kompromis për hir të familjes, e bën siç thotë derri, ose mbetesh vetëm, ashtu si një qenie normale nuk dëshiron të qëndrojë.

Më e bukura është se derrat vetë protestojnë për varfërnë, duke mbajtur në dorë ora të shtrenjta, pallto 2000 euroshe dhe “ML” të fundit. Protestojnë për shkeljen e të drejtave, duke vënë “thundrën” e tyre mbi çdo hap modest të të tjerëve. Protestojnë për pamundësinë e arsimimit në Harward për fëmijët e tyre, kur në shkolla ende tekstet janë me gabime logjike e drejtshkrimore.

Përballë frikës për të mbyllur pa borxhe muajin, për të blerë të gjitha ilaçet e nevojshme, për të paguar qiranë apo për të shlyer energjinë dhe ujin, derrat tanë vendosin shurdhërinë e tyre dhe e kthejnë “noçkën” nga ana tjetër. Këto gjëra për ta, janë vogëlsira njerëzish që vetëm ankohen.

Lufta e tyre zhvillohet ndaj derrave të tjerë. Kafshët e tjera i kanë eliminuar. Luftojnë për territore të reja, për jahte, konçensione, për komplekse pallatesh, për të shtuar zerot në fund të llogarive bankare. Pasi bëjnë të gjitha këto, na ftojnë të votojmë për derrin më të bukur, duke na hedhur ndonjë dozë normaliteti të shtirur, e duke zbukuruar “noçkën” për të na marrë mendjen. Pastaj na kërkojnë që çdo katër vjet, t’i themi derrit, Dajë.

Po prit mor Dajë, se nuk shkohet pa fund kështu! Prit, mor zoti Derr dhe ti Derr prej Derri, se e bëtë “llucë” komplet këtë vend. Po nuk mund të zhgërryhemi gjithë jetën në pisllëkun tuaj! Me ne nuk i ke bërë mirë llogaritë. Nuk duam të bëhemi ne të rinjtë si ju. Nuk jeni shembull, se qelbni erë. Nuk ua ka njeri frikën. Po prit mor Dajë se edhe ne “kafshët” e tjera, e duam këtë jetë sipas modelit tonë, e jo sipas modelit që ofroni ju. Të jeni të sigurt se do të mblidhemi e do jua heqim ngrefjen e do jua ndryshojmë hungërimën. Do të guxojmë t’jua “shpëlajmë” baltën që hidhni ngado kur ecni. Nuk jua ka njeri frikën, përsëris! Pisllëqet tuaja do t’jua japim për ushqim, e ndotjet tuaja, do t’jua hedhim si shtrojë për të fjetur!

Hajdeni çuna e goca, t’ua tregojmë çfarë mund të bëjmë ne. Hajdeni t’u tregojmë sa të ndryrë janë në ekzistencën e tyre, e t’i bëjmë të urrejnë edhe veten. Hajdeni të japim një model, një vlerë, një ndryshim… Të shohin edhe ata se ka forca që dinë të japin alternativë. Hajdeni t’i largojmë nga vetja këto kafshë të pista! Nuk janë gjë more, se vetëm dhjamë kanë! Prandaj, është mëkat të ushqehesh nëpërmjet tyre, se kanë ndotjen në trup. Hajdeni çuna e goca, t’ua tregojmë vendin!

Osman Stafa, gazetar

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: