LUSHNJE- Familjarët dhe banorë të fshatit Zharrnec në Lushnjë, ku banon prej 25 vitesh mësuesi 62-vjeçar Demir Hoxha kanë mbetur të shokuar nga ngjarja e zbardhur të mërkurën, që nxori një abuzim të rëndë seksual ndaj nxënëses 12-vjeçare. Të tronditur kanë mbetur edhe familjarët e tij. Bashkëshortja e Demir Hoxhës, flet për News 24.

Ajo duket të jetë më e prekura emocionalisht pas këtij akti të rëndë, por kërkon që bashkëshorti me të cilin ka 4 fëmijë, t’ja pohojë vetë, para syve gjithçka që ka bërë.

“Jam e tronditur nga kjo ngjarje. Dua të ma pohojë vetë atë që ka ndodhur, nëse një gjë e tillë ka ndodhur. Po të jetë fajtor, je të rrijë në burg. Unë do vijoj jetën, të kujdesem për fëmijët”,-thotë ajo.

Duke mos e fshehur as turpin, gruaja kërkon ndër të tjera që drejtësia të zbardhë këtë ngjarje. “Nuk kam ç’të them! Nuk dal dot as jashtë në oborr. Më vjen turp nga ç’po dëgjoj”

Ndërkohë, dy djemtë e Demirit, Redjani, 26 vjeç dhe Oldjani 19 vjeç, duken të hutuar nga situata e krijuar. Me sy të përlotur ata deklarojnë se nuk kanë pasur kurrë probleme dhe konflikte me familjen e vajzës, madje, shtojnë se babai i tyre, jo rrallëherë kishte pirë kafe me babanë e vajzës, çka tregonte për marrëdhëniet e mira që ekzistonin midis tyre.

EKSPERTIZA

Policia ka pasur prova që gjatë hetimeve (pa u bërë publik si rast) që Demir Hoxha e kishte pranuar atë qe i kishte bërë 12-vjeçares. Nga ana tjetër, është bërë ekspertiza mjeko-ligjore e të miturës ku vërtetohet se është defloruar, por nuk dihet saktësisht kur ka ndodhur kjo.

FQINJA: DEMIRI GJATË NATËS PUNONTE SI ELEKTRICIST

Ndërkaq, banorët e fshatit Zharrnec shprehen se e njohin për familjar dhe të rregullt. Një fqinjë e mësuesit të Fizikës, Demir Hoxha deklaroi se ai gjatë natës punonte edhe si elektriçist. “Mësuesi punonte dhe si elektricist,Vinte natën nëpër banesa, por nuk kishim vënë re gjë të dyshimtë”.

DREJTORI: E KEMI DËNUAR AKTIN, POR TË MBAJË PËRGJEGJËSI PERSONALE

Pas ngjarjes, mëngjesin e sotëm stafi pedagogjik i shkollës në Kryekuq ku jepte mësim në lëndën e fizikës Demir Hoxha, e kanë përjashtuar atë. Ndërsa shprehen kundër nismës së MAS për penalizimin e gjithë mësuesve të shkollës, duke e krahasuar me vendimet në periudhën e komunizmit.
Drejtori i Shkollës shprehet se,“Jemi ende të shokuar, askush s’ka pasur dijeni. Mësuesin e kemi pezulluar nga stafi pedagogjik. Sot jemi mbledhur gjithë stafi pedagogjik, e dënojmë këtë ngajarja”.
Më tej ai ka komentuar edhe vendimin e MAS, duke thënë që vendimet kolektive merreshin vetëm në kohën e Enverit.
“Demiri duhet të paguajë personalisht për atë që akuzohet”,-tha ai.

 

(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: