FIER- Të tjera detaje dalin në dritë nga arrestimi i 41-vjeçarit nga Fieri, i cili u denoncua nga djali i tij 15-vjeçar. Ky i fundit iu drejtua policisë për ndihmë pasi, sipas dëshmisë së dhënë prej tij, i ati, përveçse e dhunonte, nuk e lejonte atë të shkonte as në shkollë. Në këto kushte, fëmija me inicialet A.H., nxënës në klasën e nëntë, është paraqitur në Policinë e Fierit ku ka denoncuar babain e tij, Patrik Hysi. Ky i fundit ka rënë në prangat e policisë menjëherë pas denoncimit të të miturit, me akuzën e dhunës në familje, por dëshmia babë e bir ka qenë kontradiktore.

“Ndalimi i 41-vjeçarit Patrik Kysi u bë pas kallëzimit të bërë nga djali i tij 15 vjeç, të cilin e ka keqtrajtuar, dhunuar, detyruar të largohet nga banesa dhe ndaluar të vazhdojë klasën e nëntë të arsimit të detyrueshëm 9-vjeçar”, bënë të ditur burime nga Policia e Fierit, e cila i referohet dëshmisë së dhënë nga ana e 15- vjeçarit.

Mësohet se i arrestuari nga policia gjatë marrjes në pyetje ka pranuar se e ka rrahur të birin, por ai ka pretenduar se e gjithë kjo ka ndodhur me qëllimin e mirë që i biri “të bëhej njeri”. Sipas dëshmisë së dhënë nga kryefamiljari, i biri kishte nisur të pinte hashash dhe është natyrë shumë problematike. Ai ka vijuar më tej me dëshminë e tij se vetë fëmija nuk dëshironte të shkonte në shkollë dhe se sherret mes tyre ndodhnin pikërisht për këtë shkak dhe se ai si prind goditjet ndaj fëmijët i ka bërë për ta kthyer në rrugë. “Djali im është një fëmijë shumë problematik. Është e vërtetë që e kam rrahur, por kam dashur të bëhet njeri. Ka marrë rrugë të keqe. Po ma nxin jetën. Kam marrë vesh që pi hashash dhe kjo më bëri që ta humb kontrollin me të”, është shprehur në Policinë e Fierit 41-vjeçari, i cili tashmë akuzohet për veprën penale të dhunës dhe keqtrajtimit të të miturit.

Pavarësisht pretendimit të tij se dhuna ndaj fëmijës ishte bërë me qëllim që ky i fundit “të bëhej njeri”, pasi kishte marrë rrugë të keqe, policia e ka arrestuar atë. Sipas burimeve nga Policia, 15- vjeçari ka pohuar gjatë marrjes në pyetje se disa herë ishte bërë objekt i dhunës e keqtrajtimit të babait. Fëmija ka kërkuar ta arrestojnë babain e tij, duke argumentuar se nuk mund të duronte më dhunë./panorama

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb