Nga UVIL ZAJMI
-Historia e panjohur e vitit 1987, kur u dënuan 13 arbitra, për një biletë treni!-

Në vijim të ciklit “Ku kanë gabuar dhe nuk kanë gabuar arbritrat” do t’i rikthehemi një procesi financiar që nisi krejt rastësisht, ku në fokus janë gjyqtarët e futbollit, ata kryeqytetas. Shkak u bë letra e një arbitri tiranas, që i shkruan Sokol Morinës, me detyrën e shefit të Sportit në Komitetin Ekzekutiv, ku e informonte për një “abuzim” të madh që po kryenin gjyqtarët e futbollit të Tiranës, kryesisht me biletat e trenit, të autobusëve dhe fletët e hoteleve. I shqetësuar, Morina i drejtohet Federatës së Futbollit, Sektorit të Financës, për të verifikuar ato çfarë shkruante Rahmi Kahrasani.

Fillon kështu një “gjyq” i shpejtë, në të cilin angazhohen specialistë finance, kur në vitin 1980, një i tillë ishte bërë edhe me ata të volejbollit. Ndërtesa dykatëshe e federatës në krah të Stadiumit Kombëtar “Qemal Stafa”, për një kohë të gjatë shndërrohet në një zyrë investigimi, me gjyqtarë që futen e dalin, duke sqaruar për çfarë janë “akuzuar”.

Një histori që vazhdoi për disa muaj dhe në fund ka ndëshkime, shoqëruar me një listë të gjatë deri në përjashtime nga kolegjiumi, aktivitetet zyrtare të 13 “xhaketave të zeza”. Të detyruar, mjaft prej tyre e braktisin gjykimin, ndërsa të tjerë, me shpresën se mund të falen, rikthehen pas një viti.

“Fillimisht u gjet një biletë autobusi, Himarë-Vlorë, pastaj disa fletë të parregullta të një hoteli në Kavajë”, – kujton Agim Duka ish-shefi i Financës në Federatës Shqiptare të Futbollit, në atë periudhë. Por, si u organizua puna, mobilizimi i një sektori, ngritja e grupeve në disa qytete për verifikim dhe si i rikthen sot Gëzim Gaçe, njëri nga gjyqtarët, ata muaj tensioni me pyetje-përgjigje. E gjithë kjo vetëm për një biletë treni, autobusi…!

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Në kërkim për gjetjen e një bilete

Ka qenë një kriter financiar, kur pasi kryeje shërbimin, që të merrje dietën, duhej të kompletoje urdhër-shërbimin me bileta treni apo autobusi dhe fletë hoteli. Një ritual në vite edhe për gjyqtarët e futbollit, të basketbollit, volejbollit, etj. Shërbimi fillonte të shtunën, pasi me rregullore, ata duhet të ishin një ditë para në qytetin ku zhvillohej ndeshja. Kur u krijohej mundësia, shkonin e vinin brenda ditës, me trenat e parë apo automjete të rastit.

Lëvizja ishte kryesisht me tren, autobus, pak prej tyre kishin motoçikleta. Për të siguruar biletat, çdo të hënë në mëngjes te stacioni gjeje mjaft gjyqtarë, në pritje të trenave të parë, që vinin në Tiranë. Ndodhte që udhëtarët të ishin tifozë dhe kur u kërkonin biletën, prej tyre dëgjoje edhe “nuk ta jap, se me ty humbëm dje…”! Solidaritet kishte me studentët që ktheheshin nga fundjava në shtëpitë e tyre dhe palët ishin të njohur se takoheshin çdo të hënë te stacioni.

Ish-shefi i Financës Agim Duka: “Hetimi zgjati disa muaj, ja si i zbuluam, por nuk donim që të dënoheshin”!

Agim Duka, sot 70-vjeçar, me një punë shumëvjeçare në të kaluarën në Komitetin Shtetëror të Sporteve, përfshirë edhe Federatën e Futbollit, madje shef i zyrës së Financës, e kujton procesin, pasi u ngarkua të merrej me të.

“Ka qenë një letër me të cilën një gjyqtar nga Kolegjiumi i Tiranës, me sa më kujtohet i Kategorisë së Dytë, i drejtohet Sokol Morinës, ku midis të tjerave, e informon sesi vepronin gjyqtarët e futbollit, lidhur me marrjen e dietës, shpërblimet, që sipas tij, ata paraqisnin bileta treni, hoteli, jo të rregullta.

Dhe me të drejtë Morina kërkoi përgjigje për këtë. Ai vjen tek unë në zyrë, ma shpreh problemin, shqetësimin, por me dëshirën dhe idenë, për të mos e bërë të madhe, mundësisht për ta mbyllur, sigurisht pasi të ishte verifikuar ajo çfarë pretendonte gjyqtari në fjalë.

U ngrit një grup pune, për të analizuar problemin me punonjës të federatës, por edhe nga qytetet e tjera. Do të verifikoheshin rastet ku dyshohej dhe gjyqtarët do të thirreshin për t’u pyetur e na sqaruar, duke marrë informacion të detajuar. Në ato muaj, zyra jonë u kthye si hetuesi”, nis rrëfimin e tij Agim Duka.

Ku bazohej letra?

Gjyqtari akuzues, që siç na informuan më vonë, e kishte bërë nga inati, mllefi, që nuk e aktivizonin dhe u ishte referuar disa rasteve. Bëhej fjalë për bileta autobusi, treni dhe fjetjeje.

Ju kishit informacion më parë?

Një zhurmë e tillë ishte bërë pak vite më parë, me disa arbitra të njohur të volejbollit, ndaj të cilëve u morën masa ndëshkuese. Me ata të futbollit, kur konstatonim parregullsi të vogla, brenda mundësive, e kalonim pa e bërë problem, se ua dinim sakrificat, vështirësitë dhe pagesat e ulëta që kishin.

Ishte vetë forma, sistemi, dispozitat ligjore për sportin dhe ata donin të përfitonin diçka, kryesisht nga biletat dhe hotelet. Në raste kur shkonin e vinin brenda ditës së diel, nisjen e bënin të shtunën, e në kthim paraqisnin biletat e së hënës.

Si reaguan drejtuesit e federatës?

Në atë periudhë, kryetar ishte Ali Vukatana, njeri që hapej, jo i mbyllur, ndonëse ishte ushtarak. Ishte objektiv, e donte sportin, i qetë, dëgjonte specialistët, gjykonte mbi mendimet që merrte prej tyre. Me sens pozitiv, i shqetësuar më pyeste vazhdimisht: “Agim, mundet të mos i bëjmë keq”?

E dinte që gjyqtarët kishin probleme, ua njihte kushtet dhe që ata ishin bërë si marokenët në shkretëtirë. Po kështu edhe Kristaq Miço, Sekretar i Përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Futbollit, njeri shumë korrekt dhe dashamirës.

Si e organizuat punën?

Unë shkova në të gjitha klubet sportive, ku ngritëm zyra pune. U morën njerëz të besuar, burra e gra që aktivizoheshin si punonjëse finance në klubet e futbollit, apo që ishin në rolin e revizorëve, për të verifikuar deri edhe në sportelet autobusëve, ku shiteshin biletat e udhëtarëve.

Konstatuat se…?

Siç thashë, duke qenë se ndeshjet luheshin në mesditë, ose me të rinjtë paradite, për qytetet e afërta, u qëllonte që disa prej tresheve, të shkonin e vinin brenda ditës. Dhe për të siguruar biletat e një ditë më parë, ose më pas, dilnin te treni, ish-Agjencia e Autobusëve, pranë Sahatit, duke pritur të vinin autobusët e linjave.

Rrugë të largëta e të vështira, cilat ishin?

Kryesisht në Kukës, Peshkopi, Bajram Curri dhe 1km. ishte 1 lek për kohën. Ose në Sarandë, 295 lekë ishte bileta. tren-autobus Tiranë-Ballsh-Sarandë, më shumë kushtonte bileta, se dieta ditore. Pastaj në ndeshjet e Kategorisë së Dytë dhe shpërblimi ishte më i ulët, pa llogaritur problemet në gjykim. Delvina, Himara, kanë qenë ndër më të vështirat, për gjyqtarët.

Pikërisht nga Himara, është zanafilla?

Bëhej fjalë për tre arbitra nga Tirana, që kishin qenë në Himarë, muaj më parë. Ata kishin paraqitur një biletë autobusi, vajtje apo kthim, nuk e kujtoj mirë, të linjës Vlorë-Himarë, që kushtonte 6.5 lekë, por me datë të korrigjuar nga fatorino.

Po me hotelet?

Kishte hotele të vogla, e shpesh ndodhte që ata flinin në ato të kategorisë së dytë, të ftohta, si p.sh. në Maliq, apo Himarë, ku paguhej vetëm 4 lekë nata dhe fletën e hotelit, e merrnin sikur kishin fjetur te Hotel Turizmi në Korçë, apo Vlorë, me vlerë 8 lekë, aq sa ishte pagesa maksimale e një akomodimi, të një nate.

Madje, edhe nga ata që pa fjetur, figuronin të regjistruar ose e kundërta, fletët e hotelit ishin të paregjistruara, në librin e hoteleve.

Dhe vijmë tek ai i Kavajës?

Nuk më kujtohet saktësisht emri “Hotel Kavaja”, por bëhet fjalë për një hotel të vogël në Kavajë, që kishte një vit i mbyllur për rikonstruksion. Pikërisht nga ky hotel, disa gjyqtarë kishin sjellë fletë hoteli dhe figuronin sikur kishin fjetur aty, gjatë kohës që ai nuk funksiononte.

“Ti nuk ke fjetur aty, ku e keni marrë si i gjetët fletët e hotelit”, i pyesnim. Pa përjashtim janë thirrur të gjithë gjyqtarët e Kolegjiumit të Tiranës, që ishte shumë i madh në numër. Jo vëzhguesit. Nuk u morëm me ta.

Po arbitrin, në fjalë e thirrët?

U bënë disa herë mbledhje, për të gjetur “fajtorët”, sepse ky fenomen nuk pajtohej me dispozitat ligjore, moralin e një arbitri, etj., siç pretendohej.

Gjatë procesit, e kemi thirrur disa herë edhe gjyqtarin letër-bërës. Ai ishte frikësuar, dukej nga qëndrimi, njeri i trembur. Nuk e kishte menduar se letra e tij, do të merrte përmasa të tilla.

Sa paguhej një ndeshje?

Aplikoheshin dy shpërblime: Ai teknik, pra, për një gjykim, gjatë 90 minutave, për kryesorin, deri 120 lekë dhe 80 për anësorët, kjo në Kategorinë e Parë dhe më e ulët, në kategoritë e tjera. Si dhe dieta, përfshirë biletat bashkë me hotelin.

Pagesat jepeshin me vonesë, me para në dorë dhe gjyqtarët qëndronin me ditë në radhë, për t’i marrë. Si ato të Tiranës edhe të rretheve. Kujtoj Besën, financieren, Andrean, llogaritarin e paharruar, personat që përbënin sektorin e Financës së Federatës së Futbollit.

Proces i gjatë, si u mbyll?

Ne u kthyem në magazinë biletash, fletë hoteli dhe ai proces zgjati disa muaj. Iu mbajtën pagesat e “tepërta”, ndryshe do i paguante zyra e Financës. Në fund u pezulluan disa gjyqtarë kryesorë dhe anësorë. E thashë, vetëm ata të Tiranës, jo të rretheve, as të lojërave me dorë, ndonëse ajo mënyrë, të cilin e bëmë të njohur, “praktikohej” nga të gjithë.

Pse nuk veprohej me shpërblime fikse?

Kujtoj se mënyra, forma dhe shpërblimi i gjyqtarëve, ishte hartuar dhe figuronte në një qarkore të Ministrisë së Arsimit dhe Financës. Kishim kërkuar që shpërblimet, dietat e tyre, të ndryshonin në pagesa fikse, por nuk aprovohej nga Ministria e Financës.

Si vijoi më pas?

U shtrëngua hesapi, kishin frikë, ndonëse ndryshuan mjaft formalitete dhe shpërblimi teknik, u rrit në 250 lekë, (të vjetra) për kryesorët dhe 150, për ndihmësit. Deri kur nisi aplikimi i një sistemi financiar, me dieta fikse.

Sot, nuk ka më bileta treni dhe autobusi…?

Absolutisht jo. Sot, me shpërblimin teknik, me sa kam informacion, varion deri në 400 mijë lekë (të vjetra) për një ndeshje, për gjyqtarët kryesorë dhe më pak për anësorët. Shifra të larta ku janë përfshirë të gjitha. Sot me mjetet që kanë të gjithë udhëtojnë brenda ditës.

Pra, pa qenë nevoja e një bilete treni, autobusi apo fletë hoteli. Një mekanizëm shumë praktik, efikas, krejt ndryshe me atë si funksiononte, si lëviznin dhe problemet që kishin gjyqtarët në të kaluarën. /Memorie.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb