Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike Gazment Bardhi ka reaguar pas dëshmisë së Presidentit të Republikës Ilir Meta në Komisionin Hetimor, ku foli për një plan për të djegur Kuvendin në protestën e 8 qershorit, gjë që e shtyu të anulonte zgjedhjet e 30 qershorit me një dekret.


Bardhi ka deklaruar për “Panorama” se PD dhe opozita e bashkuar nuk kanë pasur kurrë një plan për djegien e institucioneve dhe se ishin skenarë të kryeministrit Edi Rama që janë denoncuar nga kreu i PD Lulzim Basha.


“Partia Demokratike dhe opozita e bashkuar nuk ka pasur kurrë asnjë plan për djegien e institucioneve, pavarësisht se ato nuk përfaqësojnë interesin publik, por interesin e një grupi oligarkësh dhe kriminelësh të lidhur me kryeministrin e vendit.
Partia Demokratike fton mediat të hapë arkivat e javëve përpara 30 qershorit dhe do të gjejë se opozita dhe kreu i saj, Lulzim Basha, ka denoncuar skenarët e dhunshëm të Edi Ramës, që ka pasur për qëllim t’i përdorë më pas kundër PD dhe opozitës.
Në këtë këndvështrim, duhet të lexohet edhe deklarata e Presidentit Ilir Meta, i cili u shpreh se ‘nuk mund të pranonte një Rajshtag në Shqipëri’. Të gjithë e dinë se me djegien e dyshimtë të Parlamentit gjerman, Hitleri çimentoi pushtetin nazist pas ardhjes në pushtet pak kohë para djegies së Rajshtagut”, ka deklaruar Bardhi.


Ai theksoi më tej se “Partia Demokratike e konsideron komisionin hetimor për shkarkimin e Presidentit si një mjet për të mbuluar skandalet e qeverisë ilegjitime të Edi Ramës, ndërsa anëtarët e këtij komisioni, personazhe të dosjeve 184 dhe 339, si bashkëpunëtorë të krimit në vjedhjen e zgjedhjeve lokale dhe parlamentare”.

(m.k/BalkanWeb)

Etiketa: