“BalkanWeb” zbardh dëshminë e plotë të 35-vjeçarit Arjan Shaho, i cili vrau me sëpatë babain e tij të moshuar. Krimi i rëndë ndodhi më 2 shtator në pyllin e fshatit Shalës të Memaliajt. Gazetarja Klodiana Lala ka arritur të sigurojë për “BalkanWeb” deklaratën e të riut sot në sallën e gjyqit, ndërkohë që Krimet e Rënda caktuan masën e sigurisë ‘arrest me burg’.

Teksa qëndronte para togave të zeza, Arjan Shaho tregoi të gjithë skenën se si kishte ndodhur ngjarja, madje edhe arsyet që e shtynë të vriste babain e tij, Iljas Shahon. 35-vjeçari tha se gjatë gjithë kohës ishte dhunuar nga babai i tij, madje edhe lëshoi akuza të rënda ndaj tij, kur u shpreh se viktima e kishte ngacmuar dhe seksualisht.

“U nisa me babain për të shkuar për të mbledhur dushk për dhitë. Gjithçka rrugës shkoi normalisht. Këtë gjë e bëjmë vit për vit se e duam për bagëtitë. Kur shkuam atje babai më tha; ngjitu tek ky lisi. Unë nuk pranova pasi lisi kishte grerëza dhe mua më para më ka pickuar një grerëz dhe kam pasur reaksion. I thash; mos të hipi tek ky, por tek lisi tjetër. Por babai më pështyu, më goditi dhe më tha; ‘Budalla, ngjitu tani!’ E godita me sëpatë, pa pasur qëllim që ta vrisja. Dua të sqaroj se ai ka qenë një baba barbar që më ka dhunuar gjatë gjithë kohës. Madje më ka ngacmuar edhe seksualisht. Unë kam shkuar në spital në 2003-2004 dhe jam shtruar dhe jam kuruar për skizofreni”, mësohet të jetë shprehur autori i dyshuar për ngjarjen, përcjell “BalkanWeb”.

Mes të tjerash 35-vjeçari tha se pasi e kishte goditur me sëpatë babain, (mendonte se nuk e kishte vrarë) kishte shkuar në banesën e vëllait të tij dhe kishte kërkuar rroba, pasi donte të ikte tek motra në Tiranë.

“Duke menduar se babai mund të më vihej pas dhe të më vriste, kam shkuar tek shtëpia e vëllait, Bilbilit. Aty gjeta kunatën, pasi shtëpia ku jetoj unë me prindërit ishte mbyllur. I thashë; më jep rroba të reja se do iki tek motra në Tiranë. Ajo më tha; ‘sa lekë do’. I thashë; ‘dua 40 mijë lekë’. Ajo mori në telefon Bilbilin dhe e pyeti se nëse mund të m’i jepte rrobat e reja. Unë i thashë; shpejt mi nxirr rrobat. Më pyeti; ‘Pse?’ ‘Sepse ai mund të më vijë të më vrasë’-i thashë. Jam larguar në Këlcyrë dhe prej andej jam nisur drejt Levanit. Më ka arrestuar policia dhe në komisariatin e Gjirokastrës kam mësuar se babai kishte vdekur”, ka deklaruar Arjan Shaho.

“BalkanWeb” mëson se nga kartela rezulton se 35-vjeçari nuk ka lindur me probleme psikike, por dyshohet që kjo është shkaktuar për shkak të dhunës sistematike. Ai ka qenë i dënuar me 7 vite burg për tentativë vrasje të një kushëriri dhe gjatë kohës që qëndronte në burg mjekohej për skizofreni.

(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb