NGA LORENC VANGJELI

Ish-zëvendës ministri i Brendshme, Sokol Baraj, u nda sot nga jeta si pasojë e një ataku në zemër. Baraj, i cili ka drejtuar policinë e shtetit në periudhën më të vështirë, ka ndërruar jetë në moshën 53 -vjeçare.

Në fillimin e korrikut 1997 u emërua Drejtor i Përgjithshëm i Policisë dhe njëkohësisht edhe Zëvendësministër i Punëve të Brendshme, në vendin e lënë bosh nga Agim Shehu.

Në një intervistë të dhënë kohë më parë, Sokol Baraj, një nga profesionistët më të mirë shqiptarë në fushën e rendit dhe sigurisë, për herë të parë ka dëshmuar për një nga misteret më të mëdha të postpluralizmit, vrasjen e deputetit demokrat Azem Hajdari.

“Për kokën e Azem Hajdarit janë paguar 150 mijë dollarë. Këtë shifër na ka përmendur si të vënë në dispozicion të vrasësve, një shërbim i huaj inteligjence. O Zot, çfarë bëhet kështu!”, vetëm kaq kam mundur të them kur e kam dëgjuar për herë të parë një gjë të tillë, që më pas, megjithatë nuk është bërë kurrë publike”, është shprehur Sokol Baraj në atë kohë.

“Ka pasur një proces, janë dënuar disa individë si ekzekutorë, por ideatorët e tij nuk janë zbuluar akoma. Por nëse ata nuk kanë një emër konkret për publikun shqiptar, për shërbimet e huaja që kanë asistuar apo survejuar zhvillimet kaotike shqiptare, ata janë krejt të njohur. Në mos sot, nesër, e vërteta do të dalë plotësisht në dritë dhe në një mënyrë tronditëse”, thotë Baraj dhe këtu ndalon.

Beson se shumëçka ka mësuar për shkak të detyrave të shumta dhe të rëndësishme që ka mbajtur, është i detyruar dhe më tej t´i mbajë larg kureshtjes së zakontë të publikut, por ka bindjen se “asnjë e vërtetë nuk ka të drejtë të mbetet në varr për shumë kohë, nuk mund të mbetet enigmë përgjithmonë”.

Ish-futbollisti, një karrierë e ndërprerë
Mund të kishte pasur një drejtim krejt tjetër jeta e tij, nëse do të zgjidhte të qëndronte në skaj të një fushe futbolli me dorezat e portierit. Madje, kur mundi të hyjë në ekipin e parë të emblemës shqiptare Dinamo, pothuaj 30 vjet më parë, shumëkush do të vinte bast për një karrierë të shkëlqyer futbollistike të Sokol Barajt. Por jeta dhe sidomos vendimi i atij vetë për divorc me futbollin, do t´i rezervonin një të ardhme krejt tjetër, një rrjedhje të vrullshme të saj që do ta çonte sa në krye të policisë shqiptare, në pozicionin e zëvendësministrit të Rendit apo dhe të këshilltarit të kryeministrave shqiptarë për çështje të sigurisë dhe rendit dhe deri në qytetarin e thjeshtë të papunë.

Një nga njohësit më të shkëlqyer të punës në polici, Baraj është në ndërdyshje deri në momentin e fundit për të folur. Përgjithësisht është njeri i heshtur dhe bën humor kur e krahason veten me një kasafortë, që ndryn shumë e shumë të pathëna, të vërteta të vjetra dhe të reja që nga lufta me krimin e deri në kontributin ende “misterioz” që Shqipëria dhe shqiptarët kanë dhënë gjatë krizës së Kosovës.

Një dëshmi e panjohur më parë vjen dhe për konferencën e famshme të Rambujesë në shkurt të 1999, kur Baraj u ftua nga kosovarët të shërbente si këshilltar i delegacionit shqiptar po për çështjet e sigurisë. Që nga kërcënimet e serbëve e deri në keqkuptimin me kryeministrin e kohës Pandeli Majko, që urdhëroi kthimin e tij në Tiranë. Një urdhër i pazbatuar, por një kundërshtim i sqaruar në rrethana të tjera.

Dhjetëra personazhe parakalojnë në bisedën e qetë të Barajt me revistën MAPO dhe shumë nga ta befas ndriçohen në një dritë krejt tjetër. Disa dhe në mënyrë të zymtë.

Falë detyrave të tij, Sokol Baraj jo vetëm ka dijeni për ngjarjet më të bujshme në vend, por në shumë prej tyre ai ka pasur edhe një rol spektakolar të dorës së parë. Fatkeqësisht, vazhdon të besojë se kureshtja e publikut nuk duhet të përmbushet plotësisht.

“Qoftë dhe për hir të publikut. Shoqëria jonë ka shumë halle dhe të vërtetat për maskarenjtë, si ata që ndodhen në qeli, si ata që ndoshta janë në podiumet e politikës, nuk mund të japin më shumë se zhgënjimin e radhës. Megjithatë, një ditë, kurdo qoftë ajo, të vërtetat që nuk mund të varrosen do t´u japin atyre atë dritëhije që i zhvendos larg gënjeshtrës që kanë sendërtuar për veten”, thotë Baraj.

“Vrasja e Azem Hajdarit?”, janë dënuar vetëm ekzekutorët, ideatorët janë të lirë. Emrat e tyre dihen jo vetëm në Shqipëri, por ato janë të shënuar përfundimisht edhe në dosjet e shërbimeve partnere. Ai që mendon se dosja shqiptare e këtij krimi është mbyllur këtu, thjesht gabon”, paralajmëron qetësisht Baraj, që më pas bën dhe pohimin tronditës: Për kokën e tij janë paguar 150 mijë dollarë. Burimi: Një shërbim i huaj inteligjent.

Ai ndjehet i trishtuar për të ashtuquajturën reformë në polici, për veshjen me uniformë të njerëzve që nuk kanë asnjë lidhje me profesionin, por që politika i ka përgatitur si një detashment besnikësh për t´i përdorur në një moment të caktuar.

“Shqipëria tashmë për shkak të krimit të organizuar dhe korrupsionit është përfshirë në hartën e vendeve nën observim. Kjo ndodhi në 2007-ën, ndërkohë që pesë vjet më parë, në 2002-in, ajo e kishte lënë këtë kategori vendesh. Dhe vend në observim do të thotë se elementët e luftës kundër krimit të organizuar janë në parametra minimalë dhe se rrezikshmëria e tij mund të kërcënojë edhe vende fqinjë”, shpjegon Baraj.

Reforma në polici
“Nuk bëj pjesë në ata njerëz, të cilët mbas largimit të tyre nga një vend pune, kthejnë kokën mbrapa dhe shohin zi në atë që bëjnë pasardhësit. Por nuk mund të mos e quaj atë që po ndodh sot me trupën e policisë dhe që e quajnë reformë, si një pushtim institucional të saj”. Baraj është i drejtpërdrejtë. Sipas tij, tre vjet mbas ardhjes së PD-së në pushtet, është tentuar dhe po realizohet ditë mbas dite kontrolli i çdo qelize në Ministrinë e Brendshme. “Po sillen si pushtues me këtë godinë”, shton ai.

Dhe afron edhe shembujt që pohojnë fjalinë e bujshme: “Janë nxjerrë në lirim deri dhe studentë që sapo kishin përfunduar Akademinë e Rendit, të moshës 23-25-vjeçare, thjesht dhe vetëm sepse nuk përmbushnin kriteret politike të kohës. Ashtu siç ndodhi që në ditët e para të rotacionit të pushtetit politik që të largoheshin pothuaj në masë të gjithë kuadrot e nivelit drejtues të lartë në ministri”, shprehet Baraj. Ai vetë ishte vënë përpara alternativës që të shkonte në Tropojë, apo nxjerrjes në lirim në vitin 2005. Pranoi të lërë detyrën, që të mos ishte pjesë e ironisë që po përgatisnin qeverisësit e rinj me profesionistët e “vjetër”.

“Duke folur për shkarkimet dhe lirimet e motivuara politikisht nga ministria dhe strukturat e saj, nuk mund të mos përmenden rekrutimet e reja, një pjesë e të cilave gëzojnë vetëm “privilegjin profesional” të kurseve të përshpejtuara tremujore”, thekson Baraj. Ai shton edhe më tej dozën e zemëratës kur përmend ligjin “Për policinë e shtetit”, të Gradave apo dhe disa vendime të Këshillit të Ministrave, të cilat tentojnë të kalçifikojnë situatën.

“Absurdi shkon deri aty sa si vjetërsi pune në polici, llogaritet edhe puna e dikurshme e punonjësve të lartë të policisë në kooperativat e dikurshme apo në miniera. Sipas një analogjie të thjeshtë, është e njëjta gjë sikur një rekrut i thjeshtë, një ushtar i shërbimit të detyrueshëm që bën roje në një depo, nesër të gdhihet gjeneral”, vijon Baraj.

Sipas tij, një filozofi e tillë e mbrapshtë pune, e frymëzuar nga politika, ka sjellë rritjen e nivelit të krimit, pavarësisht propagandës qeveritare për të kundërtën. “Tashmë krimi ka mësuar të jetojë në simbiozë me politikën dhe për të, krimin, nuk është më problem prodhimi dhe sigurimi i parave, por garantimi dhe ruajtja e tyre. Dhe një gjë e tillë mund të bëhet vetëm në lidhje me politikën. Dini ndonjë rast ku të jetë dëshmuar origjina e parave të X apo Y investitori të fuqishëm?”, pyet në mënyrë retorike Baraj.

Por nuk mbaron këtu. Ofensiva e Barajt për të pavërtetat zyrtare shkon dhe më tej: “Nëse dëgjoni se janë goditur dhe shkatërruar qindra banda, ju lutem, mos e besoni. E dini se dhe në një vend si SHBA-ja, sa për të marrë një shembull nga ato që janë për zemër në Tiranë, gjatë dy shekujve të fundit nuk kanë ekzistuar një numër prej qindra bandash të tilla, siç pretendohet për Shqipërinë”, pyet dhe përgjigjet po me pyetje Sokol Baraj. Ai thotë se, një propagandë e tillë që nuk i përgjigjet realitetit, godet imazhin e vendit dhe e shndërron atë në një ishull të izoluar në Evropë, njëlloj Siçilie filmash, ku krijohet përshtypja se njerëzit vriten me njëri-tjetrin dhe se në vend të domateve dhe specave në tregun fshatar, tregtohet kokainë dhe heroinë.

Trafiku i drogës
Nga ana tjetër ka dhe një anë tjetër të medaljes. “E dini që Shqipëria është një nga furnizuesit kryesorë të Italisë me ekstazi, drogës së famshme të pub-eve dhe lokaleve të natës? Ekstazia prodhohet në mënyrë laboratorike nga morfina, e cila importohet legalisht në Shqipëri. Dhe ky është një detaj që nuk është përmendur publikisht”.

Sokol Baraj tregon një tjetër të vërtetë të frikshme. Një të vërtetë, e cila do të kishte, sipas tij, një tjetër pamje nëse ky lloj krimi, prodhimi i ekstazisë, nuk do të kishte zënë peng segmente të caktuar të politikës. “Eshtë e lehtë të kontrollohet importi i lëndës së parë dhe këtë gjë do të bënte cilido profesionist, kuptohet deri në momentin që sërish politika nuk do t´i lidhte duart apo më keq akoma, nuk do t´i mbyllte gojën me mënyra të tjera”, thotë Baraj. Njeriu i sigurisë dhe specialisti i çështjeve të rendit jep edhe një shembull tjetër, po kaq domethënës, Lazaratin.

“Ajo që ndodhi në Lazarat, kur në bashkëpunim me elementin kriminal policia goditi vetëm një ngastër me hashash, sa për të bërë shfaqjen e radhës në televizor, është rasti klasik i korruptimit të shtetit”, shton ai. Baraj shpjegon se ndonëse është e provuar se Lazarati është prodhuesi kryesor i hashashit në Shqipëri, asnjë i arrestuar nuk ka provuar prangat nga kjo komunë, vetëm e vetëm sepse ajo njihet si bastion i PD-së.

“Ndaj nëse flitet për arrestime, shohim vetëm ca pleq e plaka nga Vlora apo gjetkë që kanë pasur “fatkeqësinë” të kapen me tre-katër rrënjë të tilla. Dhe si për të përforcuar atë që thotë Baraj, vetë ministri i Brendshëm Nishani, thotë se me Lazaratin nuk i është shkuar punës deri në fund. Ndoshta ngastrat e fundit të papjekura ende, pas tërheqjes së prodhimit kryesor masiv, do të jenë sërish kurban i propagandës qeveritare për ndonjë goditje të radhës.

Kosova në Rambuje, miqësia me Thaçin
Kosova është tema e preferuar e Sokol Bares. Një lloj dashurie dhe nostalgjie që e lidh pazgjidhshmërisht me këtë vend dhe me atë që ai vetë e konsideron si një nga kulmet e punës së tij. Baraj kujton se rruga e tij në Rambuje, konferencën që do të hapte rrugën e ndërhyrjes së NATO-s mbi Serbi, kishte nisur shumë kohë më parë. Që nga koha kur ai, në pozicione të ndryshme në Ministrinë e Rendit, deri në zëvendësministër dhe drejtor i Përgjithshëm i policisë, por dhe në SHIK, kishte kryer detyrën e tij përpara vendit.

“Por këto janë detaje për të cilat nuk ka ardhur koha që të flas. Mund t´ju them se ishin sidomos struktura të Shërbimit Informativ ato që mundën të krijojnë kontaktet e para të UÇK-së me shërbimet sekrete perëndimore, dhe sidomos ato amerikane dhe që bënë të mundur që ato të shihnin një realitet të ri. Një realitet të ndryshëm nga ai që e shihnin këtë ushtri çlirimtare si një organizatë terroriste. Të mos harrojmë, deri në vitin 1997 gazeta e një prej partive kryesore në vend e konsideronte UÇK-në si pjellë të UDB-së”, shprehet Baraj.

Ai kujton se rrallë ndonjëherë ishte ndjerë më krenar, kur pikërisht nga delegacioni kosovar që do të shkonte në Rambuje, ju kërkua të asistojë për çështje të sigurisë dhe rendit. “U nisa në Rambuje dhe aty pashë që fati më kishte rezervuar mundësinë të prekja historinë nga pranë. Në hotelin ku ndodheshin dy delegacionet, shqiptar dhe serb, shpesh serbët dilnin në dritare, thërrisnin me emra anëtarët kosovarë të delegacionit dhe i kërcënonin. U thoshin se nuk duhej të firmosnin në asnjë mënyrë marrëveshjen dhe se nëse do ta bënin një gjë të tillë, atëherë ata do t´u vrisnin familjet që u kishin mbetur në Kosovë.

Fatmirësisht, ndryshe nga sa kërkonin serbët në Rambuje, apo dhe Berisha në Tiranë që e konsideronte firmosjen e marrëveshjes si tradhti kombëtare, kosovarët e Hashim Thaçit bënë atë akt historik që tetë vjet më vonë i dha Kosovës pavarësinë”, vijon më tej Baraj. Ai tregon se veç Thaçit, shumë aktivë nga delegacioni shqiptar ishte Rexhep Qosja, Fehmi Agani, Jakup Krasniqi, Bujar Bukoshi, apo dhe Veton Surroi. “Ibrahim Rugova ishte nga më të heshturit dhe ishte e pamundur të kuptohej brenga e tij”, thotë ai duke shtuar se, tek Thaçi kishte mundur të dallonte forcën e karakterit dhe pjekurinë e parakohshme të një shtetari që ja kishte dhënë jo katedra akademike, por mësuesja më e madhe e njeriut, ja kishte dhënë lufta e drejtë që drejtonte.

Sokol Baraj mendon se zbardhja e raporteve të Shqipërisë me Kosovën mund të zbardhë shumë të vërteta të tjera, të cilat do të shpjegonin sidomos dhe shumë mistere të politikës shqiptare. “Le të bëjmë një kronologji të fakteve: në vitin 1995, deri në 45 për qind e nevojave të makinës serbe të luftës, sipas të dhënave të agjencive të specializuara, furnizohej me naftë nga Shqipëria. Nga Shqipëria dërgohej edhe karburant special për avionët; deri në vitin 1997, veprimtaria e UÇK-së në Tiranë ishte krejt ilegale. Anëtarë të saj, deri dhe vetë Hashim Thaçi arrestoheshin nën akuza absurde.

Thaçi për shembull u paraburgos sepse u gjet me dy karikatorë me fishekë; po në 1997, gazeta e një partie kryesore në Shqipëri e konsideronte UÇK-në pjellë të UDB-së jugosllave; në vjeshtën e 1998, në ditët kur lufta në Kosovë dukej në prag, në Tiranë pati një tentativë për grusht shteti; në shkurt 1998, nga sheshi “Skënderbej” deklarohej se firmosja e Rambujesë do të konsiderohej si tradhti kombëtare. Të gjitha këto fakte e duan një përgjigje dhe një ditë do ta marrin”, shprehet Baraj.

Sokol Baraj kujton dhe detaje nga përballjet me delegacionin serb. “Ata e kishin të gjithë veprimtarinë e tyre dhe vendimmarrjen të centralizuar në Beograd, ndaj shpenzonin kohë vetëm duke pirë verë. Shpresonin vetëm që kosovarët të mos firmosnin dhe të mbeteshin të vetëm përballë egërsisë së tyre në terren”.

Misteret e tranzicionit, vrasja e Azemit
Sokol Baraj pohon se, atentati ndaj Azem Hajdarit është një nga misteret e tranzicionit. Një mister për publikun, por që është krejt e zbardhur në “dosje të fjetura” shqiptare dhe sidomos në ato që kanë agjencitë e specializuara perëndimore.

“Deri tani dihen dhe janë ndëshkuar ekzekutorët, por jo ideatorët e këtij krimi. Nëse shihni me vëmendje dokumentet e procesit, mungon motivi i vrasjes së deputetit të PD-së. Sot apo nesër, ditën kur politika do të lërë drejtësinë të veprojë, kjo dosje do të hapet pa diskutim. Ai që mendon se gjithçka ka mbaruar, thjesht e ka gabim”, thotë Baraj. Që megjithatë bën dhe një tjetër pohim të bujshëm: “Për vrasjen e Azem Hajdarit janë paguar 150 mijë dollarë. Të gjitha detajet për një gjë të tillë, njihen mirë edhe nga partnerët tanë ndërkombëtarë të organeve të specializuara”.

Ish-sportisti, portieri i Dinamos thotë se, ka folur gjatë. Njeri i veprimit, ai ngjan me një diplomat kur flet. Sidomos për ato detaje që vazhdon të heshtë. Një mënyrë të vepruari që ai e ka mësuar që nga dita kur la profesionin e mbrojtësit të portës në futboll për t´u shndërruar në një nga njerëzit, që duhet të mbronte qytetarët nga krimi. Një detyrë që e bëri me pasion dhe idealizëm, por që si rëndomë në Shqipëri, nuk mori mirënjohje.
Marrë nga revista MAPO

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: