NGA: FATMIRA NIKOLLI
Nuk gjej dot qetësi, nuk di sa do të vazhdojë kjo gjendje; parapëlqej qendrën e Athinës sepse ndjehem më i lirë. Nuk dua të ndodhem pranë shtëpisë, në sheshin ‘Qëndresa Kombëtare’ – është plot me shqiptarë. Po të kisha një shtëpi timen, do ta shisja me siguri. Tekefundit kjo është politika e shqiptarëve, të na detyrojnë të ikim nga shtëpitë tona. Është komplot i organizuar. Duan që brenda dy vjetësh të fitojnë aq sa kanë fituar grekët në tridhjetë vjet. Kështu është mësuar komisari, shoferi i Ramiz Alisë, të bëhet me ‘Benz’ brenda njëzet e katër orësh dhe pandeh se këtë mund ta arrijë edhe në Greqi. Por, duhet të mbahemi fort”.

Ky është veçse një fragment nga romani “Dëshmitar kam Zotin”, i shkrimtarit grek Makis Citas, përkthyer në shqip nga Romeo Çollaku e botuar nga “Pegi”. Ndërsa shihet si “Një vështrim ironik mbi sëmundjet e mëdha të shekullit XXI”, romani “Dëshmitar kam Zotin” është monologu kaotik dhe qesharak i një antiheroi, një burri në moshë të mesme, i cili ka humbur punën dhe ka probleme shëndetësore. I cilësuar nga “Pepole Magazine” në vitin 2013 si një nga romanet më të mira që është botuar në Greqi, ai është thellësisht fetar, emocionalisht i papjekur dhe naiv, Krisovalandi e mendon veten pre të punëdhënësve të ligj, femrave të pacipa dhe mizorisë së vetë familjes së tij. Ai është si një lëmsh i madh kundërshtish, një mizogjin që adhuron femrat, një krijesë e ndrojtur që i ka zët të huajt, një çunak i llastuar që kërkon të bëhet burrë dhe një hero tragjik me një ndjenjë të hollë humori.

Mentaliteti i tij i ndrydhur e paragjykues bëhet pasqyra e deformuar dhe deformuese e një shoqërie të egër dhe cinike që, me gjithë tolerancën dhe pasurinë sipërfaqësore, po mbytet në dekadencë, intolerancë dhe racizëm. Emigrantët shqiptarë në Greqi janë një ndër strumbullarët kryesorë të ksenofobisë të pandërgjegjshme të Krisovalandit; zëri i tij hedh një dritë të zbehtë mbi pasigurinë dhe frikën që ka pështjelluar një pjesë të kombit fqinj, por edhe të kombeve të tjera. “Botimet A, sikundër bënte shaka një koleg, do të thotë ‘Botimet Albanian’. Shumica e të punësuarve qenë shqiptarë. Domosdo, nuk ua mbante të pipëtinin. Banonin aty rrotull nëpër ca skuta. Pesë-gjashtë frymë në një dhomë, jepte nga dhjetë mijë secili për qiranë”, citojmë nga libri.

Koha jonë po bëhet dëshmitare e një vale të re ekstremizmash ideologjikë, të cilët, të mbështetur nga padija, dogma apo propaganda, po ndikojnë gjithmonë e më shumë jo vetëm diskursin politik, por drejtpërsëdrejti në jetët e njerëzve. Ky roman nxjerr në pah, me një ironi të hollë, por edhe me dhembshuri, origjinën e këtij mentaliteti të ri e megjithatë tepër të plakur, i cili po gërryen nga brenda themelet ideologjike të shoqërive perëndimore. Si një nga librat më të vlerësuar në Greqi, fitues i Çmimit Europian për Letërsinë, libri i Makis Citas, “Dëshmitar kam Zotin”, është një portret gazmor dhe ngacmues i sëmundjeve dhe kontradiktave të shoqërisë modern. Makis Citas (1971) është shkrimtar grek, autor i një romani, një përmbledhjeje me tregime dhe i disa librave për fëmijë. Romani i tij i parë, “Dëshmitar kam Zotin”, u botua në 2013 dhe fitoi Çmimin Europian për Letërsinë. Vepra e tij është përkthyer në disa gjuhë të botës.
(Gazeta Shqiptare)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: